MELONI, “FASHISTE” DHE “GRUA E KEQE”/ Sulm ndaj kryeministres italiane, gazetari rus shpërthen live
“Fashiste” dhe “grua të keqe”, e ka quajtur një gazetarit rus kryeministren italiane Giorgia Meloni, në programin e tij televiziv të mbrëmjes. Nuk vonoi përgjigja e kryeministres, Meloni, që e cilësoi gazetarin një shërbëtor të regjimit të Putinit. Ndërsa ministri i jashtëm i Tajani thirri ambasadorin rus për një protestë zyrtare.
Një deklaratë e ashpër nga Moska ka ndezur tensione të reja me Italinë. Gazetari dhe prezantuesi rus Vladimir Solovyov ka sulmuar publikisht kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke përdorur gjuhë fyese dhe etiketime të rënda gjatë një emisioni televiziv.
Duke folur në Rusisht dhe italisht, gazetari e quajti Melonin “fashiste”, “grua të keqe” dhe “tradhtare”, duke pretenduar se ajo ka ndryshuar qëndrim ndaj Donald Trump.
"Tradhti është emri i saj i mesëm. Ajo tradhtoi Trumpin, të cilit i ishte betuar më parë për besnikëri", shtoi Solovyov gjatë programit të tij.
Reagimi nga Italia ishte i menjëhershëm dhe i ashpër.
Vetë Meloni iu përgjigj drejtpërdrejt, duke e cilësuar Solovyovin një propagandist të regjimit dhe duke theksuar se Italia nuk merr urdhra nga askush. Ajo deklaroi se qeveria italiane udhëhiqet vetëm nga interesat kombëtare dhe do të vazhdojë në këtë linjë, pavarësisht sulmeve.
“Nga natyra e tij, një propagandist i zellshëm i regjimit nuk mund të japë mësime as për koherencën dhe as për lirinë. Ne, ndryshe nga të tjerët, nuk kemi detyrime, as padronë dhe nuk pranojmë urdhra. Busulla jonë mbetet një: interesat e Italisë. Dhe ne do të vazhdojmë ta ndjekim atë me krenari, me gjithë respektin e duhur për propagandistët kudo", u shpreh Meloni.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm Antonio Tajani thirri ambasadorin rus në Romë për një protestë zyrtare, duke i cilësuar deklaratat si “jashtëzakonisht serioze dhe ofenduese”.
Në një reagim të rrallë dhe të fortë institucional, presidenti Sergio Mattarella dënoi gjuhën vulgare, duke i dalë në mbrojtje kryeministres.
Reagimet erdhën në unison edhe nga politika italiane, ku figura nga e djathta dhe e majta përfshirë Matteo Salvini, Giuseppe Conte dhe Matteo Renzi dënuan ashpër sulmin.
Kjo përplasje publike shihet si një përshkallëzim i retorikës mes Rusisë dhe vendeve perëndimore, ndërsa analistët paralajmërojnë për ndikime të mundshme në marrëdhëniet diplomatike.
