KONFLIKTET SHTRENJTON EDHE K*NDOMËT / Karex: Prodhimi është ndikuar ndjeshëm nga kriza aktuale
Lufta mes Iran dhe SHBA-ve ka nisur të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet globale tek të gjitha produktet. Prodhuesi më i madh i prezervativëve, Karex, paralajmëron rritje të çmimeve deri në 30% si pasojë e mungesës së lëndëve të para
Tensionet në Lindjen e Mesme po reflektohen gjithnjë e më shumë në ekonominë globale.
Kompania Karex, prodhuesi më i madh në botë i prezervativëve, ka paralajmëruar se do të rrisë çmimet deri në 30%, për shkak të kostove në rritje dhe mungesës së lëndëve të para.
Shkaku kryesor lidhet me situatën në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, ku janë ndërprerë furnizimet pas përshkallëzimit të konfliktit.
Përmes këtij korridori kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit natyror, duke ndikuar drejtpërdrejt në industrinë petrokimike, nga e cila varen shumë produkte, përfshirë edhe prezervativët.
Durex dhe Trojan janë ndër markat që furnizohen nga Karex, ndërsa edhe sistemet publike shëndetësore mund të ndiejnë ndikimin e rritjes së çmimeve.
Ndikimi i konfliktit nuk kufizohet vetëm te kjo industri. Sipas raportimeve, çmimet e biletave ajrore janë rritur ndjeshëm, ndërsa sektorë si bujqësia dhe prodhimi i teknologjisë po përballen me mungesa të materialeve si plehrat kimike dhe heliumi.
Edhe industria e ujit të ambalazhuar po ndjen presion për shkak të vështirësive në sigurimin e lëndëve të para.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet vazhdojnë, me Donald Trump që ka deklaruar zgjatjen e armëpushimit për të lejuar përparim në negociata.
Megjithatë, pasiguritë mbeten të larta, ndërsa tregjet globale përballen me pasojat e një krize që po prek gjithnjë e më shumë jetën e përditshme të konsumatorëve.
