EUROPA NË ALARM ENERGJETIK/ L*fta në Lindjen e Mesme, KE merr masa urgjente ndaj krizës energjetike
Komisioni Evropian ka prezantuar masa për të zbutur krizën energjetike në Evropë. Paketa synon të mbrojë konsumatorët dhe bizneset nga rritja e çmimeve. Ndërhyrjet vijnë mes tensioneve globale dhe paqëndrueshmërisë në tregje.
Komisioni Evropian ka prezantuar një paketë masash që synon të amortizojë goditjen energjetike të shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme.
Në një moment kur tregjet ndërkombëtare janë të paqëndrueshme, Brukseli po kërkon të ruajë ekuilibrin mes ndërhyrjes dhe funksionimit të lirë të tregut, duke shmangur për momentin masa ekstreme si kufizimi i çmimeve.
Në thelb të propozimeve qëndron ideja e lehtësimit të barrës për konsumatorët dhe bizneset, përmes uljes së taksave mbi energjinë elektrike.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e planit lidhet me koordinimin e rezervave të gazit. Vendet anëtare pritet të harmonizojnë blerjet dhe rimbushjen e depozitave gjatë muajve të verës, për të shmangur rritjet e menjëhershme të çmimeve që zakonisht shkaktohen nga kërkesa e përqendruar në të njëjtën periudhë.
Kriza aktuale është përshkallëzuar pas ndikimit të luftës me Iranin, e cila ka prekur rrugët kryesore të furnizimit global me energji, përfshirë Ngushtica e Hormuzit. Kjo situatë ka rritur ndjeshëm çmimet e gazit në Evropë, duke rikthyer kujtimet e krizës së vitit 2022, kur furnizimet nga Rusia u ndërprenë.
Megjithatë, ndryshe nga ajo periudhë, reagimi aktual i institucioneve evropiane mbetet më i kujdesshëm. Zyrtarët theksojnë se shumë instrumente mbeten në dorë të qeverive kombëtare, të cilat tashmë kanë angazhuar miliarda euro për të mbrojtur konsumatorët nga faturat në rritje dhe për të mbështetur ekonominë.
Në planin afatgjatë, strategjia e BE-së mbetet e qartë për reduktimin e varësisë nga lëndët djegëse fosile dhe rritja e prodhimit vendas nga burime të rinovueshme dhe energjia bërthamore.
