'Rilind' Kalaja e Borshit/ Restaurim i plotë me ndriçim artistik, platformë vëzhgimi dhe hapje si sit muzeal me biletë

Kalaja e Borshit, një nga monumentet historike më të rëndësishme në jug të vendit, po i nënshtrohet një projekti restaurimi që synon rikthimin e saj në një destinacion të mirëorganizuar për vizitorët.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, bën me dije se ndërhyrja përfshin konservimin dhe stabilizimin e strukturave ekzistuese, restaurimin e xhamisë brenda kalasë, si dhe shtimin e elementëve të rinj si panele informuese, platformë vëzhgimi dhe ndriçim artistik.

Pas përfundimit të punimeve, kalaja pritet të hapet si një sit muzeal me biletë hyrëse, duke u kthyer për herë të parë në një hapësirë të strukturuar për turizmin kulturor.

E ndërtuar që në periudhën antike dhe e rindërtuar në kohën bizantine dhe osmane, kalaja ka pasur një rol të rëndësishëm në kontrollin e zonës dhe të rrugëve tregtare. Brenda mureve të saj gjenden rrënoja të ndryshme historike, përfshirë edhe një xhami të periudhës së Ali Pashë Tepelena.

Ky monument, i njohur më parë edhe si Kalaja e Sopotit, përmendet në shkrimet e Ana Komnena, vajza e perandorit Aleksi I Komneni.

E vendosur në një pikë dominuese mbi detin Jon dhe fushën e Borshit, kalaja mbetet një nga atraksionet më të veçanta për ata që kërkojnë të ndërthurin historinë me natyrën.