MILANO/ Festa, esk*rta dhe gaz qesharak për futbollistë e pilotë F1
Prokuroria e Milanos ka nisur një hetim që ka zbuluar një rrjet të sofistikuar prostitucioni luksoz, i cili organizonte festa private për klientë të profilit të lartë, përfshirë futbollistë të Serie A dhe personalitete të tjera. Hetimi nisi pas denoncimit nga një punonjëse lokali dhe ka çuar në arrestimin shtëpiak të katër personave: një çift bashkëshortësh dhe dy bashkëpunëtorë të tyre.
Sipas hetuesve, organizata përdorte një kompani me bazë në Cinisello Balsamo si mbulesë. Në mediat sociale, kjo kompani postonte njoftime për punësimin e “bashkëpunëtorëve të rinj” me “aftësi të spikatura në marrëdhënie publike”, duke rekrutuar në fakt vajza dhe djem të rinj për shërbime eskortimi. Këto shërbime ofroheshin kryesisht për festa pas ndeshjeve ose eventeve, me kosto që arrinin mijëra euro.
Klientela përbëhej nga sportistë dhe sipërmarrës të pasur. Përgjimet telefonike kanë zbardhur biseda ku kërkoheshin shërbime specifike, siç dëshmohet nga një frazë: “Kam një mik, pilot i Formula 1 që vjen sonte në Milano, do një vajzë me pagesë”. Paketat e ofruara përfshinin shoqërim në lokalet e natës, pas-mbrëmje në hotele me pesë yje dhe përdorimin e gazit qesharak, një substancë që nuk zbulohet nga testet antidoping.
Si rezultat i operacionit, Guardia di Finanza ka sekuestruar rreth 1.2 milionë euro, të konsideruara si fitime nga aktiviteti i paligjshëm. Sipas të dhënave, në rrjet ishin përfshirë rreth dhjetë gra të moshës 18 deri në 30 vjeç, të cilat përfitonin 50% të të ardhurave nga çdo shërbim.
