Sakrifica prekëse e tifozit të Real Sociedad/ Qëndroi jashtë finales që të hynin gruaja dhe vajza

Një tifoz i Real Sociedad ka prekur zemrat e shumë njerëzve me gjestin e tij gjatë finales së Copa del Rey.

Ai mbeti jashtë stadiumit pasi vetëm dy nga tre biletat që kishte funksionuan. Në vend që të hynte vetë, zgjodhi të lejonte gruan dhe vajzën e tij të shijonin ndeshjen nga brenda, ndërsa ai e ndoqi takimin nga trotuari jashtë stadiumit.

Megjithatë, momenti më emocionues erdhi kur dëgjoi se Real Sociedad kishte fituar trofeun. Tifozi shpërtheu menjëherë në festë nga jashtë stadiumit, duke treguar gëzim të pastër për suksesin e skuadrës së zemrës.

Pas përfundimit të ndeshjes, ai u bashkua me familjen e tij jashtë stadiumit, ku së bashku festuan triumfin e ekipit, në një skenë që është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe ka emocionuar tifozët e futbollit.

Kjo histori është një tjetër dëshmi se futbolli nuk është thjesht një lojë, por një burim emocionesh të forta, sakrificash dhe gëzimi të ndarë me njerëzit më të dashur.