Vedat Muriqi pranë rikthimit te Fenerbahçe

Vedat Muriqi pranë rikthimit te Fenerbahçe
Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi mund të rikthehet gjatë verës te gjiganti turk Fenerbahçe, një klub ku ai ka lënë gjurmë më parë.

Sipas mediave turke, drejtuesit e klubit nga Stambolli kanë nisur herët lëvizjet për sezonin e ri, duke vendosur në fokus përforcimin e repartit ofensiv. Në këtë kuadër, Muriqi shihet si profili ideal për të udhëhequr sulmin, në një moment kur opsionet aktuale konsiderohen të kufizuara.

Raportohet se “Sabah” ka zbuluar një marrëveshje personale mes klubit dhe lojtarit 30-vjeçar, i cili është i hapur për një rikthim në Turqi, aty ku shkëlqeu në sezonin 2019-2020.

Aktualisht pjesë e RCD Mallorca, Muriqi po kalon një formë të jashtëzakonshme në La Liga. Ai ka realizuar 21 gola këtë sezon dhe renditet i dyti në garën për “Pichichi”, vetëm pas Kylian Mbappé të Real Madrid.

Me 30 paraqitje në të gjitha kompeticionet, prej të cilave 29 si titullar, Muriqi po konfirmon formën e tij të shkëlqyer dhe statusin si një nga sulmuesit më të spikatur në Europë.

Fenerbahçe pritet të hapë së shpejti negociatat me RCD Mallorca, ndërsa klubi spanjoll besohet se do të kërkojë rreth 10 milionë euro për kartonin e lojtarit.

Rikthimi i mundshëm i Muriqit shihet si një prioritet për klubin turk, që synon të ndërtojë një skuadër më konkurruese për sezonin e ardhshëm.