Balliu takon protestuesit e arrestuar: Qeveria përdor policinë për të shtypur mendimin ndryshe

Pas një takimi me protestuesit e arrestuar, deputeti i opozitës Klevis Balliu ka lëshuar akuza për dhunë barbare të ushtruar nga policia, ku tha se ndërhyrja ishte një operacion i mirëfilltë politik i urdhëruar nga nivelet më të larta të qeverisë.

Në një prononcim për mediat, deputeti përshkroi gjendjen e rëndë fizike të të paraburgosurve.

Sipas tij, disa prej tyre janë të dëmtuar rëndë, duke përmendur rastin e një qytetari me iniciale G.T., i cili ka vështirësi në ecje pasi është marrë zvarrë dhe është përplasur me tuba hekuri gjatë arrestimit.

Një tjetër i ri nga Sukthi, është goditur rëndë, me shenja të dukshme në fyt dhe trupin të mbuluar me mavijosje.

"Është qartazi një akt kriminal dhe barbar ndaj protestuesve," deklaroi ai, duke shtuar se të gjithë të arrestuarit kanë probleme me sytë për shkak të përdorimit të lëndëve djegëse nga forcat e rendit.

Duke e cilësuar dhunën si "shtazarake", deputeti njoftoi se do të propozojë në Komisionin e Sigurisë kryerjen e testit të drogës për të gjithë efektivët e policisë që morën pjesë në protestë.

Kjo kërkesë bazohet në dyshimet e tij se sjellja agresive e policëve mund të jetë pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike.

"Të shohim se në çfarë gjendje janë këta njerëz që sulen si shtazë, si kriminelë, ndaj qytetarëve," u shpreh ai.

"Pata takim me të gjithë të paraburgosurit. Mund t'ju them që disa prej tyre janë të dëmtuar.  Gentjani për shembull ka probleme për të qëndruar në këmbë, për shkak të marrjes zvarrë dhe hedhjes së tij drejt disa tubave të hekurit gjatë momentit të arrestimit. Gentjani është banor i njësisë nëntë.

Gjithashtu një tjetër i ri nga Sukthi, është goditur shumë. Plagët duken tek pjesa e fytit, që është kapur prej fyti, është goditur në trup sepse e ka trupin me vula dhe duket sepse bluzën ja kam shklyer komplet dhe pra qartazi një akt kriminal dhe barbar ndaj protestuesve.

Të gjithë kanë pasur probleme me sytë, për shkak të lëndëve djegëse që kanë përdorur policia, të cilat janë të patolerueshme gjatë protestave.

Ajo çfarë vlen për t'u sqaruar është që pas vendosjes së krimit të organizuar pas vendosjes së Lubi Ballukut që i bëri drejtorit të ri të policisë, drejtorit Hoda, një njeri i vendosur, i emëruar nga Belinda Balluku.

Unë e kam paralajmëruar tre ditë para që do të ishte Hoda njeriu i përzgjedhur, sepse ishte ai i cili ka mbrojtur krimet elektorale të Lubi Ballukut.

Ka qenë Lubia, patjetër nën urdhrat ekzekutive të Edi Ramës, që ka urdhëruar ndërhyrjen në formën më kriminale nga efektivë policie të lidhur me krimin e organizuar, edhe pa diskutim një pjesë e mirë e tyre duke marrë parasysh vrrullin që kishin për dhunë, me shumë gjasë të droguar, ndaj dhe unë do të propozoj në komisionin e sigurisë që të bëhet testi i drogës në mënyrë të hapur për të gjithë policët të cilët marrin pjesë në këto tubime, për të parë se në çfarë gjendje janë këta njerëz që sulen si shtazë, si kriminelë, ndaj qytetarëve që vijnë për të protestuar.

Është një nga aktet më kriminale të para ndonjëherë, dhuna shtazore e ushtruar ndaj qytetarëve. Jo vetëm ndaj qytetarëve, edhe ndaj deputetëve, të cilët janë goditur me shkopa gome, eksponentë të Partisë Demokratike janë goditur me urdhër politik, janë goditur me spray-n, i cili përdoret, në mos gabofsha për arinjtë, po këta atë spray e kanë edhe kombinuar me lëndë të tjera siç është dhe gazi lotsjellës.

Nuk kemi të bëjmë me akte të operacioneve policore, po kemi të bëjmë me një vendim politik për ekzekutimin e mendimit ndryshe, të protestave, që pa diskutim ata nuk do e arrijnë.

Unë ju jap fjalën që ajo ndërhyrje do të marri përgjigjen që meriton.  Efektivët e policisë e dinë fare mirë që Partia Demokratike dhe eksponentët e saj i kanë mbrojtur prej kohësh.

Mjafton të pyesësh disa prej drejtuesve që kanë qenë në policinë e shtetit, edhe kur kemi qenë në protesta, pra kemi qenë gjithmonë në krah të tyre, por ne do të kemi zero mëshirë për kriminelët që kanë dhunuar ditën e djeshme si shtazë qytetarët.  Ka qenë e gjitha e urdhëruar, pjesa më e madhe, një operacion politik i drejtuar nga Edi Rama dhe Lubi Balluku"