“PENGESAT” E SHQIPES NË RMV/ Afrim Gashi nga Tirana: Ligjet aktuale në fuqi nuk e mundësojnë


Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, tha nga Tirana se ligjet në fuqi në vendin e tij mbeten pengesë për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe.

Ai bëri thirrje për më pak politizim, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

Gashi ishte në Tiranë në kuadër të Samitit të Diasporës, ku foli edhe për të drejtat e shqiptarëve në Maqedonia e Veriut.

Sipas tij, shqiptarët kanë aspiratë që gjuha shqipe të jetë plotësisht zyrtare dhe e barabartë, por kuadri aktual ligjor nuk e mundëson këtë.

Ai u përgjigj edhe kritikave për mungesë angazhimi në mbështetje të studentëve në Shkup, të cilët kërkojnë të zhvillojnë provimet në gjuhën shqipe, përfshirë atë të jurisprudencës.

Nga Tirana, ai dha sinjale pozitive për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është i rregulluar me ligj, por mënyra si interpretohen këto ligje ka sjellë kufizime për shqiptarët, të cilët përbëjnë rreth 29% të popullsisë në vend.