Lekaj: Shqipëria ka mundësinë të bëhet “portë” logjistike dhe financiare për Ballkanin
Në Samitin e Diasporës, në panelin “Diaspora Partner në Biznes dhe Inovacion”, kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës, Ardian Lekaj, u shpreh se qeveria shqiptare, për herë të parë në këtë ngjarje, nuk do të flasë vetëm për tema të përgjithshme, por do të angazhohet në një bashkëbisedim konkret me diasporën, për të ndarë ide dhe për të gjetur zgjidhje për zhvillimin e biznesit shqiptar.
“Askush nuk ka dyshim që gjatë 10 viteve të fundit kemi bërë përparim ekonomikisht. Ata që nuk e shikojnë këtë, janë miopë. Ata që nuk duan ta shikojnë le të përpiqemi t’u hapim sytë, sepse po bëjnë gabim”, u shpreh Lekaj, duke theksuar se nuk duhet të mohohen arritjet, edhe pse ka ende sfida si informaliteti dhe korrupsioni.
Pavarësisht vështirësive, ai theksoi se Shqipëria nuk është e vetmja që përballet me këto probleme, duke sjellë si shembuj vende si Holanda dhe Belgjika.
Lekaj nënvizoi se çështjet si këto janë të pranishme në shumë shtete dhe për këtë duhet të punojmë së bashku për t’i luftuar dhe minimizuar ato.
Një tjetër problem që ai përmendi ishte fuqia punëtore, e cila, sipas tij, është e kufizuar.
“Ne kemi një fuqi punëtore prej 1.1 milionë njerëzish. Nëse do të fokusoheshim vetëm në sektorë si turizmi dhe bujqësia, do të hasnim disa fenomene të vështira ekonomike”, tha Lekaj, duke sugjeruar se duhet të shohim edhe mundësitë që ofrojnë sektorë të tjerë dhe të zhvillojmë më shumë industri me vlerë të shtuar.
Ai solli si shembuj vende të vogla si Singapori, Holanda dhe Belgjika, që kanë arritur të zhvillohen në nivele të larta, falë cilësisë dhe efikasitetit në logjistikë dhe infrastrukturë.
“Ka kompani të shumta që thonë se duan të investojnë dhe të bashkëpunojnë me ne për zhvillimin e infrastrukturës së logjistikës. Një shembull është Porti i Antverpenit, porti i dytë më i madh i Europës, që gjeneron xhiro prej 20 miliardë eurosh në vit dhe punëson direkt 75 mijë njerëz, ndërsa 200 mijë të tjerë punojnë në mënyrë indirekte”, tha Lekaj.
Ai theksoi se ky lloj ndikimi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë e një vendi të vogël si Belgjika.
“Imagjinoni se çfarë ndikimi mund të kishte një port i tillë për ekonominë shqiptare”, shtoi ai.
Në këtë kontekst, Lekaj kujtoi se në Këshillin e Investimeve, disa vite më parë, me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, ishte hedhur ideja “Albania – Gate to Southeast Europe”, pasi Shqipëria ka potencialin për të qenë një qendër logjistike dhe financiare për rajonin, për të ofruar mundësi investimi dhe zhvillimi të mëtejshëm.
“Ky është një projekt që jo vetëm ofron mundësi për një port logjistik, por gjithashtu mund të zhvillojë sektorë të tjerë si IT, energji dhe financa. Ne kemi një pozicion gjeografik shumë të favorshëm dhe një hinterland të pasur në Ballkan. E vetmja gjë që investitorët kërkojnë është siguria. Ata kërkojnë një kontakt të drejtpërdrejtë dhe një komunikim të qartë. Nëse ne lidhim institucionet dhe krijojmë mundësi për kontakte të drejtpërdrejta, do të mund të kuptojmë më mirë kërkesat e investitorëve dhe të përshtatim ofertën tonë me ato kërkesa”, tha Lekaj.
Ai nënvizoi se kjo është mënyra e vetme për të përkthyer bisedat teorike në praktika konkrete për biznesin.

