Gjekmarkaj në vizitë tre-ditore në Suedi/ Zgjedhjet dhe drejtësia në fokus të takimeve të deputetit me parlamentarët suedezë

Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka nisur një vizitë zyrtare 3-ditore në Suedia, ku ka zhvilluar takime me drejtues të parlamentit suedez.
Në ditën e parë, ai u takua me Nënkryetarin e Parë të Parlamentit, Kenneth G. Forslund, si dhe me Kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme, Aron Emilsson, dhe Nënkryetaren e Komisionit për Bashkimin Evropian, Matilda Ernkrans.
Gjatë këtyre takimeve u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mbështetjen që Suedia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite. Në fokus ishte edhe procesi i integrimit evropian dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh.
Gjekmarkaj ngriti shqetësime për situatën e demokracisë në vend, duke përmendur çështje që lidhen me zgjedhjet, drejtësinë dhe funksionimin e institucioneve.
Ai përmendi edhe zgjedhjet parlamentare të majit 2025 dhe problematikat që, sipas tij, kanë shoqëruar këtë proces.
Nga pala suedeze u shpreh gatishmëri për të mbështetur Shqipërinë në përballimin e këtyre sfidave dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Gjithashtu, pritet që një delegacion nga Komisioni për Punët e Jashtme të vizitojë Shqipërinë në muajin e ardhshëm për të parë nga afër zhvillimet.

