Kurti: Eliot Engel, mik i madh i Kosovës dhe zë i fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një mik të madh të kombit shqiptar dhe mbështetës të palëkundur të Kosovës.
Kurti në një postim në Facebook, vlerësoi lart kontributin e Engel gjatë më shumë se tri dekadave në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ku ai shërbeu si zë i fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe për shqiptarët në periudhat më të vështira.
“Takimet me të ishin gjithmonë të mbushura me vëmendje dhe interes të sinqertë për të ardhmen e vendit tonë. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë, ku një vend të veçantë zë pikërisht kongresmeni Engel.
Ai përfaqësonte bindjen se liria dhe të drejtat e njeriut janë themel i çdo shoqërie demokratike. Mirënjohja jonë për kontributin e tij në kauzën tonë kombëtare do të mbetet e përhershme.”, thuhet në njoftimin e Kurtit.
Engel, dje ka ndërruar jetë, lajmi u bë i ditur nga faqja zyrtare e qeverisë së Qarkut Westchester.
Si kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Engel ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor. Ai u shqua për mbështetjen e tij të palëkundur ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar. /Kosovapress

