NEGOCIATAT MAL I ZI OPTIMIST/ Ibrahimoviç : S’ka veto nga Kroacia për kapitujt e negociatave

Mali i Zi shfaq optimizëm për përmbylljen e negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa autoritetet në Podgoricë deklarojnë se nuk ka më pengesa nga Kroacia për kapitujt kyç. Shefi i diplomacisë malazeze Ervin Ibrahimoviç është i bindur se deri në fund të vitit do të mbyllen të gjithë kapitujt e negociatave, përfshirë atë  tw 31, i cili u bllokua nga Kroacia më shumë se një vit më parë.

Mali i Zi ka më pak se tetë muaj kohë për të përmbushur një nga objektivat më ambiciozë,  përfundimin e negociatave me Bashkimi Evropian dhe mbylljen e të gjithë kapitujve.

Ministri i Jashtëm, Ervin Ibrahimović, shprehet optimist se Podgorica do të arrijë të marrë dritën jeshile nga Kroacia për mbylljen e kapitullit 31, i cili lidhet me politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Ai thekson se nuk ka bllokada dhe se negociatat mes dy vendeve po ecin në drejtimin e duhur, pavarësisht se çështjet e hapura zgjasin prej më shumë se tre dekadash.

Sipas tij, marrëdhëniet me Kroacinë mbeten konstruktive dhe ekziston vullnet nga të dyja palët për të arritur një zgjidhje të pranueshme.

Ndër çështjet kryesore që ende kërkojnë marrëveshje janë pronësia e anijes shkollore “Jadran”, kufiri detar në zonën e Prevlakës, si dhe kompensimi për ish-të burgosurit në kampin e Morinjit.

Autoritetet malazeze bëjnë të ditur se formimi i një komisioni të përbashkët për çështjen e anijes “Jadran” është në fazën përfundimtare dhe pritet të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Nga ana tjetër, kryeministri Milojko Spajić ka deklaruar se vendi ka përfunduar deri në 90 për qind të rrugës drejt anëtarësimit dhe synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian deri në vitin 2028.

Deri më tani, Mali i Zi ka mbyllur 14 nga 33 kapitujt e negociatave, ndërsa së shpejti pritet progres edhe në kapituj të tjerë kyç.

Procesi i integrimit europian i Podgoricës mbetet një nga më të avancuarit në rajon, ndërsa zhvillimet e ardhshme pritet të jenë vendimtare për anëtarësimin e plotë në BE.