Rama nga Fieri: Ne bëjmë punë të mira përditë, por mbulohen nga tymi, nga balta e llumi
Partia Socialiste nga Asambleja e zgjeruar e saj ne Fier ka njoftuar nisjen e një plani të ri për një komunikim intensiv me strukturat e saj, duke filluar nga baza e partisë dhe duke u shtrirë deri në nivel komuniteti. Ky proces komunikimi do të zhvillohet paralelisht me zgjedhjet për kryetarët e organizatave dhe njësive, dhe do të kulmojë në muajin qershor me kremtimin e 35-vjetorit të themelimit të partisë.
Sipas kryetarit të PS-së, Edi Rama kjo nismë është konsideruar e domosdoshme për të ndarë me anëtarët, mbështetësit dhe publikun e gjerë informacione dhe këndvështrime mbi çështje me interes kombëtar. Qëllimi, tha Rama, është të krijohet një kanal i drejtpërdrejtë komunikimi për të adresuar tema të rëndësishme që prekin të gjithë qytetarët.
Gjatë prezantimit të këtij plani, nuk munguan akuzat e forta ndaj medias. Rama theksoi se çështjet me rëndësi shpesh “mbulohen nga tymi, balta dhe llumi i gënjeshtrave, akuzave, shpifjeve, fabrikimeve dhe thashethemeve”.
Sipas tij, këto narrativa fabrikohen nga disa kanale televizive dhe portale, me synimin e vetëm për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për t'i çoroditur qytetarët.
Në këtë kontekst, u përmend se tema madhore si procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian lihen në harresë. Ndërkohë, u pretendua se në hapësirën mediatike mungon pasqyrimi i “punëve të Shqipërisë” dhe i përpjekjeve të përditshme të asaj pjese të shoqërisë që prodhon, punon dhe shërben. Kjo ofensivë e re komunikimi shihet nga Rama si një përpjekje për t'i dhënë një përmasë të re debatit publik, duke sfiduar atë që cilësohet si një fushatë dezinformimi mediatik.
PJESË NGA FJALA E RAMËS
Ne do të vazhdojmë këtë komunikim, i cili do të shtrihet në komunitet kur të përzgjidhen kryetarët e njësisë dhe sigurisht që do të përmbyllet në qershor me kremtimin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.
E kemi zgjedhur këtë proces komunikimi, sepse na është dukur realisht e domosdoshme që të ndajmë me ju dhe përmes jush edhe me të gjithë Partinë Socialiste dhe pastaj edhe me të gjithë mbështetësit tanë informacionet dhe këndvështrimet mbi çështje që na interesojnë të gjithëve, të cilat, siç ju e dini shumë mirë, mbulohen përditë nga tymi, nga balta, nga llumi i gjithë gënjeshtrave, akuzave, shpifjeve, fabrikimeve, thashethemeve që fabrikohen në pasqyrat e kanaleve dhe të portaleve, duke praktikisht synuar në vijimësi që të tërheqin vëmendjen e njerëzve dhe mundësisht t'i çorodisin njerëzit për gjëra të cilat janë të rëndësishme, siç është për shembull procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ndërkohë që nuk ka absolutisht vend fare në ato pasqyra për punët e Shqipërisë, për ato që janë punë të përditshme, jo thjesht të qeverisë, por të gjithë asaj pjese dërrmuese të shoqërisë që gjeneron punë, që jeton me punë, që prodhon, që shërben e kështu me radhë. Dhe ajo që është më e rëndësishmja është që duke bërë këtë, ne t'i japim një përmasë të re.

