“Bllokimi i negociatave? Gënjeshtër me 7 bishta”, Rama nga Lushnja: Po ecim sipas planit të BE

Kryeministri Edi Rama tha nga Lushnja, përveç mbështetësve të 11 majit, të tjerët nuk e respektojnë fitoren dhe përhapin vetëm përçarje, gjë që ndikon edhe te motivimi i qytetarëve.

Ai theksoi se pretendimet për bllokimin e negociatave janë të pavërteta dhe se vendi po ecën sipas planit të BE-së.

“Përveç atyre që na kanë dhënë votën dhe mbështetjen më 11 maj, askush tjetër nuk na e fal dhe nuk do t’ia dijë fare për atë fitore që ne morëm, në kuptimin e respektit dhe detyrave, por do vetëm sherr, shamatë, baltë dhe llum.

E gjithë kjo bie edhe mbi ata që na kanë dhënë votën, sepse të dëgjosh përditë e përnatë vetëm keq dhe zi, sigurisht që diçka ndodh në aspektin e motivimit.

Ne nuk kemi një mundësi të korrigjojmë të tjerët, vetëm korrigjojmë veten dhe punën tonë, dhe pjesë e kësaj është edhe rritja e komunikimit me njerëzit.

U mbush gjithë hapësira e mediave me një vorbull për bllokimin e negociatave, një gënjeshtër me shtatë bishta. Ne po ecim sipas planit të BE-së. E nisëm nga fundi i bishtit të kavallit dhe jemi përpara bashkë me Malin e Zi.”

“Janë rritur pagat për mjekët dhe mësuesit! Përveç pensioneve, indeksohet dhe paga”

Kryeministri Rama në asamblenë e PS në Lushnje tha se janë rritur pagat e mjekëve, mësuesve dhe administratës. Ai shtoi se përvec indeksimit të pensioneve, është indeksuar edhe paga.

“Paga mesatare ka qenë qesharake, sot kemi pagën e përgjithshme mesatare 870 euro, sepse rritet në mënyrë të vazhdueshme, sepse rritet në sektorin privat. Kemi rritur pagat e mësuesve, mjekëve dhe administratës.

Sot kemi vendosur indeksimin e pagave, më parë ka qenë për pensionistët. Sot çdo pagë ka edhe indeksimin e inflacionit. I them me pasion, sepse është e rëndësishme të jemi me këmbë në tokë dhe kokën lart dhe të shohim përpara.”