Babis mbështet Orban përpara zgjedhjeve parlamentare

Një ditë para zgjedhjeve parlamentare në Hungari, kryeministri Andrej Babis mbështeti homologun e tij hungarez, Victor Orban.

“Në kohë të trazuara, zgjedhja e stabilitetit dhe lidershipit të provuar ka më shumë rëndësi se kurrë”, shkroi kryeministri 71-vjeçar çek, i konsideruar si një aleat i ngushtë i Orban.

Ai tha se Orban jo vetëm që i kishte mbrojtur gjithmonë qytetarët hungarezë dhe interesat kombëtare, por gjithmonë kishte luftuar për një Evropë të bazuar në “paqe, kombe sovrane, shtete anëtare sovrane dhe konkurrencë”.

Të dy i përkasin grupit të ekstremit të djathtë Patriotët për Evropën (PfE) me partitë e tyre në Parlamentin Evropian.

Kryeministri hungarez është kritikuar në Bashkimin Evropian për largimin nga parimet  demokratike dhe shteti i së drejtës.

Afërsia e tij me presidentin rus Vladimir Putin, narrativa e të cilit Orban e ka përhapur në median që ai kontrollon, ka luajtur gjithashtu një rol në shumë përplasje me Brukselin.

Orban është në rrezik humbjeje në zgjedhjet e së dielës, sipas sondazheve.

Shumica e sondazheve e shohin partinë ”Tisza” të sfiduesit të tij Peter Magyar dukshëm përpara ”Fidesz” të Orban.

Babis, i cili vjen me origjinë nga Sllovakia, ka qeverisur Republikën Çeke që nga mesi i dhjetorit në një koalicion me dy parti të vogla në skajin e djathtë të spektrit politik.