Iu gjetën 158 bimë k*nabisi brenda banesës/ Si u zbulua shqiptari nga policia britanike

Një shtetas shqiptar është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar pasi u gjet i fshehur në papafingon e një banese që përdorej për kultivimin e kanabisit.

Ngjarja ka ndodhur në muajin shkurt në zonën e Jarrow, në South Tyneside, ku policia ndërhyri në një shtëpi në Leopold Street.

Gjatë kontrollit u zbuluan 158 bimë kanabisi të mbjella në katër ambiente të ndryshme brenda banesës, me një vlerë të mundshme në treg që arrin deri në 39 mijë paund.

I arrestuari, Ramazan Lami, rezulton të ketë qenë në mënyrë të paligjshme në territorin britanik.

Ai ka pranuar përfshirjen në këtë aktivitet, ku kishte rolin e kujdesit për bimët.

Në gjykatë u bë e ditur se ai nuk ka precedentë penalë, ndërsa nga mbrojtja u sqarua se kishte hyrë ilegalisht në Britani me shpresën për një jetë më të mirë.

Sipas të njëjtit burim, ai ishte fshehur në papafingo dhe kishte qëndruar aty për disa orë para se të zbulohej nga policia.

Pas arrestimit, ai ndodhet në paraburgim dhe pritet të deportohet nga Mbretëria e Bashkuar.