PAKISTAN/ Nisin negociatat amerikano-iraniane për dhënien fund të konfliktit! SHBA, dakord të lirojë asetet iraniane në Katar

Delegacione të nivelit të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani u takuan sot në Islamabad me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif, duke shënuar nisjen e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili shpërtheu gjashtë javë më parë pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Teheranit.

Bisedimet po zhvillohen në hotelin “Serena”, ndërsa ende nuk është e qartë nëse palët do të komunikojnë drejtpërdrejt apo përmes ndërmjetësimit të Pakistanit.

Delegacioni iranian, i udhëhequr nga kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, u takua fillimisht me kryeministrin Sharif, ndërsa më pas mbërriti edhe delegacioni amerikan i kryesuar nga zëvendëspresidenti JD Vance, i shoqëruar nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Kryeministri pakistanez shprehu shpresën se këto bisedime do të shërbejnë si një hap drejt një paqeje të qëndrueshme në rajon.

Armëpushimi aktual mbetet i brishtë, sidomos për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar gjithashtu hapjen e Ngushticës strategjike të Hormuzit, duke theksuar se prioriteti kryesor i SHBA-së është që Irani të mos zotërojë armë bërthamore.

Kryeministri Sharif paralajmëroi se faza e  negociatave do të jetë edhe e vështirë, duke e përshkruar atë si një moment “të vendos ose dështosh”.

Ndërkohë, aktorë të tjerë rajonalë si Egjipti, Turqia dhe Kina po ndjekin nga afër zhvillimet dhe po kontribuojnë në përpjekjet ndërmjetësuese për të arritur një marrëveshje afatgjatë.

ISLAMABAD – SHBA bie dakord të lirojë asetet iraniane në Katar

PAKISTAN/ Nisin negociatat amerikano-iraniane për dhënien fund të

Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të zhbllokojnë asetet iraniane të ngrira dhe të mbajtura në Katar dhe banka të tjera të huaja.

Një burim i lartë iranian i tha Reuters online, duke e mirëpritur këtë veprim si një shenjë “serioziteti” në arritjen e një marrëveshjeje me Uashingtonin në bisedimet e Islamabadit.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë komentuar publikisht për çështjen e zhbllokimit të aseteve.

Reuters thekson se zhbllokimi i aseteve është “i lidhur drejtpërdrejt me sigurimin e kalimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit”, i cili pritet të jetë një pikë kyçe në bisedime.