Zbulohet aktivitet i paligjshëm bastesh sportive, policia arreston pronarin e një lokali në Tiranë

Policia e Tiranës ka zbuluar një tjetër lokal që ishte vënë në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

“Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në një subjekt në rrugën “Kastriotët” u konstatua se viheshin baste sportive përmes celularit”, njofton policia.

Në lidhje me këtë rast u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, shtetasi V. G., 37 vjeç, ndërsa i është sekuestruar edhe celulari.

“Gjatë kontrolleve të mëtejshme në ambientet e lokalit, u konstatua se një klient, shtetasi O. I., 21 vjeç, mbante me vete një mjet prerës. Për këtë shtetas ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta ndërsa celulari i të arrestuarit dhe mjeti prerës janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.