Grabiti dyqanin në Tiranë, arrestohet 42-vjeçari

Një 42-vjeçar, është arrestuar nga Policia në Tiranë, pasi vodhi një shumë parash në një dyqan, duke kanosur me thikë punonjësen.

Sipas Policisë, Ngjarja ka ndodhur në datën 1 prill në rrugën “Kongresi i Manastirit”, ku 42-vjeçari me iniciale B.SH, ka vjedhur xhiron ditore në dyqan.

Sipas policisë ai ka qenë i dënuar më parë për vjedhje. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar thika dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur 42-vjeçari, gjatë vjedhjes.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Tools”, si rezultat i të cilit u kap në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës dhe vu në pranga shtetasi në kërkim:

-B. Sh., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 01.04.2026, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, ka vjedhur një shumë parash (xhiron ditore) në një dyqan, duke kanosur punonjësen, me thikë.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas”,- thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.