Zbutja e dënimit për autorin e vr*sjes së policit, Lamallari: Sulm i hapur ndaj vetë rendit ligjor

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari reagoi sot pas vendimit të gjykatës për zbutjen e dënimit për autorin e vrasjes së efektivit të ‘Shqiponjave’ në Fier, Novruz Cenalia.

Në reagim, Lamallari e cilësoi vendimin si akt me pasoja të rrezikshme, që cenon jo vetëm emrin dhe sakrificat e punonjësve të policisë, si dhe kërcënon rendin ligjor dhe vetë shtetin.

Ministri nënvizon se megjithëse nuk është njohur me arsyetimin e plotë të trupës gjyqësore, masa e dhënë, e cila është tejet e butë në raport me krimin e kryer, “është thellësisht shqetësuese”.

“Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës”, deklaroi Lamallari.

“Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë”, përfundoi reagimin ministri i Brendshëm.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Baltëz më 13 maj 2024, ku mbeti i vrarë efektivi i forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia,

Mediet raportuan se Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm vendosi së fundmi të zbutë dënimin për autorin Azgan Mërnica nga burg i përjetshëm në 35 vite burg.