KRIMINALIZOHEN DOGANAT/ Kontrabandistit Alban Dushkut i besohen trafiqet në Kakavijë, alarmohen SHBA-BE! Ja CV-ja e aktivitetit kriminal
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë hedhur miliona euro për përafrimin e doganës shqiptare me atë të evropiane, ndërsa njerëzit e krimit dhe korrupsionit janë katapultuar në krye të pikave doganore për të kontrolluar me sa duket kontrabandën e mallrave dhe trafikun e drogës.
Një nga simbolet e kriminalizimit të doganave mund të konsiderohet Alban Dushku, i katapultuar së fundmi në krye të Doganës së Kakavijës, një nga linjat kryesore të trafiqeve.
Sipas informacioneve që disponohen edhe nga ambasadat e SHBA-BE në Tiranë dhe institucioneve ligjzbatuese, Alban Dushku, me precedentë të theksuar penalë, është ushtar i trafiqeve i një figure të rëndësishme të krimit në Shqipëri, i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me influencë në Kuvend, pushtetin qëndror dhe vendor, i cili kontrollon disa nga drejtuesit e degëve doganore në vend, duke komanduar si rrjedhojë kontrabandën e mallrave dhe ndoshta edhe trafiqet.
Dushku, i skeduar për falsifikime dhe dallavere, është arrestuar në vitin 2015 për grabitjen e 4 mijë m2 tokë në Lundër të Tiranës, me vlerë 600 mijë euro, ndërsa posedon pasuri të paluajtshme me bazë financiare të dyshimtë.
Dushku, jo vetëm i shpëtoi veprimit ligjor për tjetërsimin e pronës, por u emëruar përgjegjës i Sektorit të Antikontrabandës Tokësore, më pas i Antikontrabandës Detare dhe më vonë në krye të Doganës së Morinës dhe së fundmi në Kakavijë, lëvizje që ka shqetësuar faktorin ndërkombëtar si dhe ka tërhequr vëmendjen e SPAK dhe BKH, struktura të cilat kanë administruar disa raporte të detajuara për aktivitetin kriminal të Alban Dushkut.
Po çfarë përfaqëson Alban Dushku?
Më 5 prill 2021, në Doganën e Tiranës u bllokuan veshje firmato, me etiketa të falsifikuara të markave të njohura; për të cilat, anti- krimi zbuloi se ishin futur nga Përgjegjësi i Anti-Kontrabandës Tokësore, Alban Dushku dhe Shefi Operativ Hetimor, Eldi Hoxha.
Më 3 tetor 2023, Policia e Tiranës zbuloi mallra kontrabandë në vlerë 160 mijë Euro te një magazinë; për të cilat, të arrestuarit Gentian Plaku, Ledio Kamberi e Etmir Dogjani, deklaruan se ishin futur nga Dogana e Morinës-Kukës me ndihmën e shefit Alban Dushku.
Më 29 tetor 2023 në hyrje të Tiranës, anti- krimi ekonomik ndaloi një automjet me 300 mijë Euro mallra kontrabandë, të cilat ishin futur nga Dogana e Morinës Kukës, që sipas të arrestuarve, ishin lejuar me urdhër të shefit Alban Dushku dhe do çoheshin te magazina e tij private në Sauk, por policia e arrestoi dhe e liroi.
Më 7 Tetor 2015, Policia e Tiranës arrestoi 7 persona me operacionin “Petrela”; 4 prej të cilëve ishin zyrtarë të Hipotekës; bashkë me të cilët dhe Alban Dushku, mbasi me dokumente false, i kishte grabitur shtetasit G.H, 4000 m2 tokë në fshatin Stërmas dhe e shiti 600 mijë Euro.
Më 22 gusht 2017, Policia e Tiranës, njoftoi se Alban Dushku me vëllain e tij, plagosi me armë zjarri 3 pjestarë të familjes “Osma” në Sauk, gjatë presionit e dhunës për tu rrëmbyer 6000 mijë m2 tokë, por policia e shtetit e arrestoi dhe e liroi pa e proceduar në prokurori.
Edhe për 4 rastet e tjera të kontrabandës së mallrave dhe grabitjes së tokave në Petrelë me dokumente false, Alban Dushku është arrestuar 5 herë e është dënuar 2 herë, por këto damka penale nuk e kanë penguar të emërohet shef në Doganë.
Tre javë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, me Urdhër Nr. 5873, datë 31 mars 2021 të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, trafikanti, kontrabandisti e kontigjenti penal Alban Dushku, në atë kohë Përgjegjës i Anti-Kontrabandës Tokësore, u transferua Specialist në sektorin e mallrave të rrezikshme “Dual Use” dhe trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
Por pas 24 orësh, urdhri u anulua dhe me Urdhër Nr. 6001, datë 1 prill 2021, Alban Dushku u emërua Përgjegjës i Sektorit të Anti-Kontrabandës Detare. Por edhe në këtë detyrë, qëndroi vetëm 24 orë, mbasi me Urdhër Nr. 6069, datë 2 prill 2021, Alban Dushku u rikthye në Përgjegjës i Sektorit të Anti-Kontrabandës Detare, ndërsa tani është emëruar Drejtor i Doganës së Morinës në Kukës.
Dushku është edhe subjekt i ligjit anti-mafia. Më 20 shkurt 2020, ish kreu i Doganës së Kukësit, kontrabandisti Alban Dushku, u hoq nga lista e OFL, duke i ndërprerë procesin hetimor dhe sekuestrimin e afro 4 milionë euro pasuri. /Marrë nga "Prapaskena"


