GJAKMARRJA/ Kapen pas 27 vitesh në Itali dy xhaxhallarët e Stenaldo Mëhillit, të akuzuar për vr*sjen e ekz*kutorit të vëllait të tyre (EMRAT)

Dy vëllezër të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje janë arrestuar në Itali, pas një bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.

Bëhet fjalë për Artur Mehilli dhe Arben Mehilli, të cilët ishin dënuar nga Gjykata e Lushnjës për një vrasje të ndodhur në vitin 1999.

Ata kishin qëlluar me armë zjarri një person, në kuadër të një konflikti për gjakmarrje, pasi viktima kishte vrarë më herët vëllanë e tyre.

Pas krimit, të dy u larguan nga Shqipëria dhe jetonin në Itali me identitete të rreme, duke siguruar edhe dokumente qëndrimi.

Zbulimi i vendndodhjes së tyre u bë i mundur përmes shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma. Një rol të rëndësishëm pati edhe përdorimi i teknologjisë së identifikimit biometrik “Facial Recognition”.

Dy vëllezërit janë dënuar me mbi 30 vite burg në total për veprat penale “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Aktualisht po punohet me autoritetet italiane për kthimin e tyre në Shqipëri, ku do të vuajnë dënimin.