"Propozimi i parë dukej si i bërë në ChatGPT”/ J.D. Vance deklaron se janë përballur me tre versione marrëveshjesh nga Irani
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, foli për situatën rreth negociatave me Iranin, duke sqaruar se janë paraqitur disa propozime të ndryshme që kanë krijuar paqartësi.
Ai tha se ka pasur tre versione të ndryshme me nga 10 pika.
Sipas tij, propozimi i parë u refuzua menjëherë pasi u konsiderua i papranueshëm.
Më pas u paraqit një variant tjetër, i cili u vlerësua si më realist dhe u diskutua mes palëve të përfshira.
Vance përmendi edhe një propozim të tretë që ka qarkulluar në rrjetet sociale, duke e cilësuar atë si edhe më ekstrem.
Ai foli edhe për një keqkuptim lidhur me armëpushimin mes SHBA-së dhe Iranit. Sipas tij, pala iraniane kishte menduar se marrëveshja përfshinte edhe Libanin, por kjo nuk ishte pjesë e dakordësisë.
Sipas qëndrimit amerikan, armëpushimi lidhet vetëm me Iranin dhe aleatët e SHBA-së në rajon, përfshirë Izraelin dhe vendet e Gjirit.
Ndërkohë, ai shtoi se Izraeli ka shprehur gatishmëri për të mbajtur një qëndrim më të përmbajtur në Liban, me qëllim që negociatat të vazhdojnë pa pengesa.

