Rikthehet pas 13 vitesh festivali i madh i filmit shqiptar, Jonid Jorgji: Objektivi është që ta kthejmë në traditë

Pas një mungese 13-vjeçare, kinemaja shqiptare do të ketë sërish festivalin e saj kombëtar. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, i cili nga studioja e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” bëri të ditur se ngjarja e shumëpritur do të mbahet në shtator, duke i dhënë fund një boshllëku të gjatë në prezantimin dhe vlerësimin e prodhimeve vendase.

Sipas drejtorit të QKK-së, rikthimi i festivalit ishte një domosdoshmëri për t'u dhënë mundësinë kineastëve dhe artistëve shqiptarë të festojnë dhe të vlerësohen për punën e tyre.

Gjatë 13 viteve të fundit, tha ai, industria ka qenë tejet produktive, me mbi 100 prodhime kinematografike, duke përfshirë filma të metrazhit të gjatë, të shkurtër dhe dokumentarë.

Pavarësisht vështirësive të tregut dhe sakrificave të shumta, komuniteti i filmit ka arritur të mbajë gjallë krijimtarinë.

Objektivi, tha Jorgji, është që festivali të kthehet në një traditë të përhershme. Fillimisht, ai mund të mos organizohet çdo vit për shkak të volumit të prodhimeve, por të paktën një herë në dy vjet, me shpresën që në të ardhmen të bëhet një event vjetor.

Megjithatë, një detaj i rëndësishëm për edicionin e këtij viti është fokusi i tij ekskluziv. Për shkak të sasisë së madhe të filmave të prodhuar brenda kufijve, festivali i këtij shtatori do t'i kushtohet vetëm prodhimeve nga Shqipëria.

Jonid Jorgji tha se ky vendim është marrë për të menaxhuar volumin e lartë të veprave vendase. Në edicionet e ardhshme, festivali do të ketë një karakter mbarëkombëtar, duke hapur dyert për filmat nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe trevat e tjera shqiptare, duke i integruar si pjesë të përhershme të tij.

PJESË NGA BISEDA

JONID JORGJI: Unë e kisha me shumë dëshirë që kinemaja shqiptare të festonte. Pas kaq shumë vitesh dhe kaq shumë prodhimesh, sepse në 13 vjet janë bërë gati mbi 100 prodhime, duke filluar nga filmi i gjatë te filmi i shkurtër dhe filmi dokumentar. Dhe është gjynah t'i privonim kineastët dhe artistët shqiptarë, të të gjitha zhanreve që të cilët marrin pjesë në, në film, që të festojnë dhe të vlerësohen për ato vepra që kanë bërë. Kështu që, pak i vonuar, por erdhi. Dhe besoj që kjo do jetë një traditë e cila do vazhdojë, mbase jo vit pas viti, sepse, prodhimet tona nuk e kanë atë sasi aq të madhe sa ne të kemi çdo vit festival, por të paktën një herë në dy vite, do ketë patjetër një festival kombëtar të filmit shqiptar dhe me shpresën që të vazhdojmë të bëhet dhe vit për vit.

Do të jetë një festival i filmit shqiptar në territor apo mbarëkombëtar? Domethënë do të ketë të ftuar edhe filma nga Kosova, që është një treg që prodhon filma shumë të mirë?

JONID JORGJI: Po. Shiko, ky është festival kombëtar, ç'është e vërteta. Pra që do të thotë edhe nga Kosova dhe nga ë, trevat e Maqedonisë së Veriut e të tjerë e të tjerë. Por, ky vit është vit i cili sasia e filmave shqiptarë-shqiptarë, të trevës shqiptare, është shumë e madhe dhe nuk mundemi të përfshijmë edhe të tjerë. Kështu që ky vit do jetë me filmin vendas tonin. Patjetër që në vitet e tjera, besoj, do jetë filmi i Kosovës, filmi i shqiptarëve të Maqedonisë, i Malit të Zi, do jetë gjithmonë pjesë e...

Unë ju prezantova si drejtor i Qendrës Kombëtare të Filmit, por ju jeni regjisor, producent, ë skenarist, kështu që e njihni mirë botën e filmit dhe problemet që ka. Dhe është një treg i vështirë dhe me shumë sakrifica. Regjisorët shqiptarë, skenaristët, njerëzit e filmit, kanë arritur të prodhojnë. Ju thatë mbi 100 prodhime kinematografike gjatë këtyre 13 viteve që ka pasur këtë hapësirë, këtë boshllëk në tregun e prezantimit, le të themi, të shfaqjes së...

JONID JORGJI: Shiko, unë me vërtetë vij nga industria, por ta njohësh këtë industri është një proces i vazhdueshëm pune vit pas viti, sepse ndryshon me një ritëm të shpejtë.