Pushtimi i Shqipërisë në 1939-ën/ Historania Papa jep detajet se si Italia fashiste shndërroi vendin në urë për ambiciet e Mussolinit
Në emisionin “Ora e Betit” u ftua historiane Enriketa Papa, e cila analizoi në detaje pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939.
Ajo riktheu në vëmendje rrugën që çoi vendin drejt humbjes së sovranitetit dhe rolin e elitës politike të kohës.
Papa shpjegoi se presioni italian filloi qysh nga fundi i marsit me ultimatume të njëpasnjëshme dhe se qëllimi i Italisë ishte të dominonte Ballkanin dhe detin Adriatik, duke e parë Shqipërinë si një urë strategjike për kontroll ekonomik dhe politik.
“Ultimatume një pas një nisën që nga 26 marsi dhe u intensifikuan deri në 6 prill. Shqipëria nuk kishte mundësi reale për t’u rezistuar një fuqie me 40 mijë ushtarë, qindra avionë dhe një flotë të fuqishme detare.”-tha Papa.
Ajo shtoi se përballë agresionit, mobilizimi i brendshëm ishte i pakët dhe i pakoordinuar, ndërsa disa figura, si Mujo Ulqinaku dhe Abaz Kupi, u bënë simbol i qëndresës individuale.
“Rënia e vendit nuk ishte vetëm për shkak të Italisë. Elite politike shqiptare nuk arriti të organizonte një rezistencë efektive. Pavarësisht mobilizimit të Mbretit Zog, shumica e vendit mbeti pa mbrojtje.”-tha ajo.
Lidhur me aspektin ndërkombëtar, Papa theksoi se politika e fuqive të mëdha si Britania dhe Gjermania favorizoi agresionin italian, duke prishur status quo-në dhe duke hapur rrugën për pushtimin.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

