Shqipëria “oborr i Italisë”/ Gurakuqi: Pushtimi italian nuk ishte surprizë, ishte kulmi i një plani të mirorkestruar nga...
Në emisionin "Ora e Betit" këtë javë ishte i ftuar historiani Romeo Gurakuqi, i cili foli për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939.
Ai solli detaje nga prapaskenat e asaj periudhe, duke zbardhur si ishte planifikuar agresioni dhe rolin e familjes mbretërore në ngjarje.
Gurakuqi sqaroi se pushtimi nuk ishte një surprizë, por kulmi i një plani të mirorkestruar nga Italia për ta kthyer Shqipërinë në një prefekturë të saj.
Ai përmendi ditarin e Kontit Çiano, i cili konsideronte të mundur nënshtrimin e Mbretit Zog duke u mbështetur në lindjen e afërt të trashëgimtarit.
"Duke e ditur dashurinë e Zogut për familjen, Çiano besonte se Mbretëria nuk do të rezistonte dhe mund ta përdorte Shqipërinë për qëllime ekonomike dhe politike."-tha Gurakuqi.
Historiani tregoi se trupat italiane zbarkuan pak ditë pas lindjes së Princit Leka dhe se rezistenca e organizuar nga shteti ishte pothuajse e papërfillshme.
Heroizmi u shfaq kryesisht në nivel individual, me Mujo Ulqinakun dhe Abaz Kupin si figura kryesore të qëndresës, sidomos në Durrës dhe Shkodër.
"Rezistenca e shtetit ishte minimale. Mujo Ulqinaku dhe Abaz Kupi janë ndër të paktët që rezistuan me trupat e tyre, pjesa tjetër ishte simbolike."-shtoi ai.
Gurakuqi përmendi gjithashtu ndikimin e politikës ndërkombëtare, ku marrëveshjet e fuqive të mëdha lejuan pushtimin italian dhe vendosën një precedent për ndryshimin e status quo-së në rajon.
Ai shpjegoi se Mbret Zog u largua vetëm pasditen e 7 prillit, duke lënë rrugën të hapur për pushtimin që ndryshoi historinë e vendit.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

