7 prilli 1939/ Historiania Nevila Nika tregon si u shit Shqipëria mes Beogradit dhe Romës

E ftuar në emisionin “Ora e Betit”, historiania Nevila Nika foli për rrethanat që çuan në pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939 dhe rolin e politikës së kohës në këtë ngjarje.

Sipas saj, pushtimi nuk ishte një veprim i papritur, por rezultat i një procesi të gjatë ku ndikuan interesat e fuqive të mëdha dhe varësia ekonomike e vendit nga Italia.

“Shqipëria ishte mes dy rreziqeve, Jugosllavisë dhe Italisë. Zogu u mbështet fillimisht te Beogradi, por më pas u afrua me Italinë për të dalë nga ai presion.”-u shpreh Nika.

Historiania shpjegon se afrimi me Italinë ndodhi në një moment kur në Romë kishte ndryshuar drejtimi politik dhe vendi drejtohej nga Benito Mussolini, me ambicie të qarta për zgjerim.

“Italia kërkonte të kontrollonte Adriatikun. Investimet dhe huatë krijuan varësi dhe më pas u përdorën si arsye për ndërhyrje.”- shtoi historiania.

Ajo shton se Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, shihej si një territor me rëndësi strategjike dhe burime natyrore, çka e bëri më të lehtë për t’u shënjestruar.

Nika gjithashtu tregoi se përpjekja për të balancuar mes dy fuqive përfundoi me humbjen e pavarësisë, duke e futur vendin nën pushtimin italian.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS: