VIDEO/ Shërbesa e tretë e Dhëndrit! Mesazhi i Kryepiskopit Joan: Pendimi i vërtetë është rruga drejt shpëtimit
Në përfundim të Shërbesës së tretë të Dhëndrit, Kryepiskopi Joan përcolli një mesazh të fortë shpirtëror, duke u ndalur te dy figura biblike në kontrast: mëkatarja e penduar dhe Juda tradhtar.
Kryepiskopi Joan theksoi se këto dy shembuj pasqyrojnë dy gjendje të kundërta shpirtërore, ku një grua gjeti shpëtimin përmes pendimit të thellë, ndërsa një nga apostujt e humbi atë për shkak të tradhtisë dhe krenarisë.
Fortlumturia e Tij, Joan nënvizoi se mëkati në besimin ortodoks nuk është thjesht shkelje e rregullave, por prishje e marrëdhënies me Perëndinë, duke dëmtuar vetë qenien e njeriut.
Në këtë kontekst, pendimi konsiderohet si një proces i thellë ndryshimi, që shkon përtej keqardhjes dhe synon rikthimin e kësaj marrëdhënieje.
Fortlumturia e Tij, Joani nënvizoi se shpesh njerëzit kanë guxim për të mëkatuar, por ndihen në turp për t’u penduar, duke theksuar se duhet të ndodhë e kundërta: turp për mëkatin dhe guxim për pendimin.
Duke iu referuar shembullit të mëkatares që derdhi miro mbi Krishtin, Kryepiskopi Joan tha se pendimi i vërtetë sjell çlirim dhe gëzim shpirtëror, ndërsa pendimi i rremë, si ai i Judës, çon në dëshpërim.
Në përfundim, Kryepiskopi Joan u bëri thirrje besimtarëve të ndjekin rrugën e përulësisë dhe pendimit, si mënyrën për të arritur faljen dhe bashkimin me Perëndinë.
Mesazhi i Kryepiskopit Joan
Ditën e tretë të shërbesës së Dhëndrit dhe të fundit janë disa tema shpirtërore shumë të rëndësishme. Folëm dy ditët e para për disa tema, që ka dhe nëntema dhe do të dojë kohë shumë të gjatë për të folur për të gjitha, po do të doja të ndalesha në dy gjëra shumë të rëndësishme në ditën e sotme: në mëkataren e penduar dhe në tradhtinë e Judës.
Dy njerëz krejtësisht ndryshe, dy gjendje shpirtërore krejtësisht të ndryshme dhe vendosen në kontrast se si një grua mëkatare gjeti shpëtimin dhe një nga nxënësit, një nga apostujt, e humbi. Këto na bëjnë ne të mendojmë për disa tema të jetës sonë: çfarë është mëkati, çfarë është pendimi, dashuria e pafund e Perëndisë, liria.
Le ta fillojmë me mëkatin. Mëkati në kishën ortodokse nuk është vetëm thjesht një shkelje e një urdhri ose shkelje e një fjale, është diçka më e thellë edhe më e rëndë: është prishja e një marrëdhënieje, kur njerëzit e prishin marrëdhënien me Zotin. E duke prishur atë marrëdhënie ne dëmtojmë vetë ekzistencën tonë, sepse të jesh i mirë e të bëhesh i ngjashëm me Zotin nuk është çështje vetëm thjesht etike, është çështje ontologjike, është qenia jonë që dëmtohet dhe shtrembërohet. Prandaj edhe mëkati është aq shumë i rëndë.
Por Perëndia ka dhënë edhe pendimin. E pendimi është diçka shumë e rëndësishme dhe pendimi në kishën ortodokse nuk është vetëm thjesht keqardhja për atë që mund të kemi bërë. Pendimi është një vendim shumë i rëndësishëm për të ndryshuar gjithë mënyrën tonë të të jetuarit edhe të të menduarit. Nuk është vetëm "bëmë një gabim, japim gjobën dhe lahet", është rregullimi dhe restaurimi i një marrëdhënieje me Perëndinë.
Por njerëzit shpesherë kanë guximin për të mëkatuar, siç thotë Shën Joan Gojarti, dhe pastaj kanë turpin për t'u penduar. Duhet të ishte e kundërta: duhet të kishim turpin për të mëkatuar e të kemi guximin për t'u penduar. Po i ligu e përmbys këtë vlerë: i nxit njerëzit, ju jep guxim për të mëkatuar dhe pastaj i jep ndjenjën e turpit për t'u penduar.
Nëse pendohemi nuk është turp. Krenarët kanë turp për atë gjë. Njerëzit e përulur e pranojnë gabimin shumë shpejt, prandaj dhe ata mund të pendohen e nëpërmjet pendimit mund të arrijnë shpëtimin, si gruaja e sotme. Ajo derdhi një miro shumë të çmuar mbi trupin e Zotit dhe me flokët e saj filloi t'i fshinte edhe këmbët e tij. Shumë njerëz rrotull, përfshi dhe nxënësit, menduan që pse u harxhua një para kaq e madhe, një pasuri, dhe mund t'u jepej të varfërve, ndërsa ajo e bëri atë për Perëndinë. Zoti thotë: "Të varfrit do t'i keni gjithmonë me ju, po këtë gjë që bëri kjo grua do të kujtohet vazhdimisht". Gjersa të përhapet kudo ungjilli, gjithmonë do të kujtohet kjo vepër.
Përse Zoti e ngriti kaq shumë lart këtë gjë? Sepse ajo u pendua thellë dhe është një shembull pendimi për gjithsecilin nga ne. Në psalmet e Davidit thuhet një fjalë shumë e rëndësishme: thotë që "do ta derdh hidhërimin përpara Perëndisë".
Çfarë do të thotë kjo gjë?
Pikërisht atë hidhërimin e pendimit ne e derdhim përpara Perëndisë kur ne realisht e thyejmë enën e zemrës sonë që është ngurtësuar nga mëkatet, nga krenaria, dhe e derdhim përpara Perëndisë. Ajo do të na lirojë ne, do të na çlirojë, do të largohet hidhërimi nga shpirti dhe do të vijë gëzimi, sepse guximi që sjell pendimi jep edhe gëzim.
Pendimi i vërtetë nuk është i trishtuar, është një trishtim që ka brenda edhe gëzimin. Pendimi i krenarit është i trishtuar, kalon në dëshpërim. Juda e tradhtoi Zotin nga çmira dhe nga lakmia dhe vrau veten nga krenaria. Është një pendim i krenarit ku njeriu mendon kështu, thotë: "Si arrita unë?". Nuk përqendrohet tek Zoti, po përqendrohet tek vetja e tij dhe ky pendim është një pendim demoniak.
Pendimi i vërtetë është nga përulësia. Prandaj edhe mësimi i sotëm është shumë i rëndësishëm për gjithsecilin nga ne dhe na kujton të gjithëve që le të kemi turpin për mëkatin e të kemi guximin për t'u penduar. Sepse nëse do ta thyejmë enën e zemrës sonë e do ta derdhim miron mendore përpara Krishtit, Ai do na falë e do na restaurojë përsëri.
Le t'i lutemi Perëndisë që të na japë këtë guxim e të vazhdojmë rrugën e pendimit, se nëpërmjet pendimit mund të arrijmë në kungim me Perëndinë e gjallë. Amin!/ CNA

