“Jetesa po bëhet e papërballueshme”, Alolli thirrje për protestë më 17 prill: Turp! Kjo datë duhet të jetë dita e reagimit qytetar
Në një reagim publik, Ledina Alolli ngre shqetësimin për rritjen e çmimeve dhe përkeqësimin e jetesës së qytetarëve, duke bërë thirrje për reagim më 17 prill.
Reagimi:
Të nderuar qytetarë të këtij vendi
Realiteti në këtë vend po bëhet çdo ditë më i padurueshëm Një realitet ku varfëria rritet me të njëjtin ritëm me çmimet, ndërsa institucionet që duhet të mbrojnë qytetarët janë kthyer në spektatorë të heshtur.
Sa herë që ka një krizë në botë, këtu tek ne çmimet shpërthejnë. Kjo nuk është rastësi, por rrjedhoi e një tregu të deformuar dhe klientelist.
Një model që përsëritet dhe që qeveria Rama e ka kthyer në normë funksionimi. Çmimi i naftës po rritet… Duke rritur me shpejtësi edhe koston e jetesës për çdo familje shqiptare.
Sot, një litër naftë ka katejkaluar në 235 lekë, ndërkohë që në vendet fqinje, Kosovë, Maqedoni, nafta është shumë më e lirë. Po ashtu më lirë është edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian si Greqia dhe Italia.
Ky fakt është rezultat i taksave të larta dhe mungesës së politikave lehtësuese të shtetit ndaj qytetarëve të vet.
Kjo çështje nuk zgjidhet me Bord Transparence. Bordi i Transparencës legjitimon abuzimin dhe shmang përgjegjësinë që duhet të ketë një qeveri në raport me qytetarët.
Kjo krizë nuk zgjidhet me fasada e as me organizma që nuk sjellin asgjë. Kjo zgjidhet me reduktimin e taksave.
Qeveria duhet të implementoi propozimin e Partisë Demokratike, për Akcizë të Ndryshueshme.
Thënë ndryshe e gjithë TVSH që akumulohet prej rritjes së çmimit të karburantit shkon automatikisht për uljen e akcizës së naftës.
Në qoftë se kjo masë do të aplikohet, sot çmimi i naftës nuk do të ishte më shumë se 180 lek për litër. Në gjithë rajonin nafta ka trend ulje, në Shqipëri ka trend rritje.
Si shpjegohet kjo? Nuk ka shpjegim tjetër veçse abuzimit.
Pra të nderuar qytetarë, ju sot nuk po paguani vetëm naftën më të shtrenjtë në rajon, po paguani një politikë që ua shtrenjon çdo ditë jetën.
Një litër naftë nuk është më thjesht karburant. Është taksë mbi jetën.
Është taksë mbi çdo familje shqiptare. Është arsyeja pse rritet bileta e autobusit dhe furgonit, pse rritet çmimi i bukës, pse çdo shportë ushqimore bëhet më e varfër. Është arsyeja pse pensionistët e këtij vendi, ata njerëz që kanë punuar një jetë të tërë, që kanë ndërtuar këtë vend, që kanë derdhur kontributet e tyre me besimin se një ditë shteti do t’i mbrojë, nuk po përballojnë dot jetesën e tyre. Sot, ata numërojnë lekët për bukën, ujin, ilaçet apo udhëtimin.
Sot, ata zgjedhin mes ilaçeve dhe ushqimit. Sot, një pensionist thotë: “Domaten nuk e blej dot më.”
Dhe kjo thotë gjithçka. Dhe sot, në Shqipëri, një pensionist nga Korça nuk përballon dot as një biletë autobusi për në Tiranë dhe anasjelltas.
Një qytetari qarkut të Korçës nuk përballon dot të shkojë për një vizitë mjekësore. Ky nuk është thjesht problem ekonomik.
Ky është turp! Turp për një shtet që nuk garanton minimumin e dinjitetit për shtetarët e tij. Turp për një qeveri që fshihet pas justifikimeve ndërkombëtare, ndërkohë që brenda vendit lejon një padrejtësi të hapur.
Dje në protestë dolën blegtorët. Njerëzit që prodhojnë qumështin, mishin, ushqimin e çdo familjeje shqiptare.
Ata thanë një gjë shumë të thjeshtë: “Nuk po ia dalim dot më.”
Dhe kjo është e vërteta. Ndërsa nga ana tjetër, qytetari blen më shtrenjtë se kurrë Dhe kjo thotë gjithçka sepse në këtë vend: prodhuesi varfërohet, konsumatori goditet.
Mbështetja e ulët për bujqësinë do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë e qarqeve si Fieri, Berati, Elbasani, Korça ku bujqësia është një ndër sektorët kryesorë të zhvillimit të ekonomisë të këtyre rajoneve. Asnjë mundësi për fermerët tanë për të konkurruar në treg. Qeveria po lufton hapur prodhimin vendas.
Qeveria nuk merr masa kur qytetarët varfërohen çdo ditë, por nxiton të miratojë ligje për porte turistike për interesat e oligarkëve atëherë ai ka zgjedhur të jetë pjesë e problemit, jo e zgjidhjes.
Po si mund të jetë pjesë e zgjidhjes një kryeministër që qëndron vetëm në avion privat. Si mund të ketë dijeni, ky njeri për çmimin e naftës, për çmimin e bukës, apo për më tepër për çmimin e domates. Kjo qeveri është e shkëputur nga realiteti. Dhe kjo nuk është më çështje ekonomie.
Kjo është çështje drejtësie! Sot kërkohet përgjegjësi. Dhe nëse vazhdojmë të mos reagojmë nëse vazhdojmë të justifikohemi Atëherë përgjegjësia nuk do të jetë më vetëm politike, por do të jetë historike. Sepse historia nuk mban mend justifikimet. Të nderuar qytetarë 17 prilli duhet të jetë dita e reagimit qytetar.

