“Një ndryshim revolucionar mund të ndodhë”/ Shtëpia e Bardhë: Vetëm Trump e di se çfarë do bëhet

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se një qytetërim i tërë mund të shkatërrohet nëse Irani nuk arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara deri të martën.

Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se vetëm Trump e di se çfarë do të bëhet dhe si do të veprohet.

Më herët, Trump kishte paralajmëruar për pasoja dramatike dhe tha se po shqyrtonte mundësinë e shënjestrimit të infrastrukturës iraniane dhe kontrollin e naftës nëse marrëveshja nuk arrihet.

Ai shtoi se tani ka ndryshuar situata dhe mund të ndodhë një “ndryshim revolucionar” në Iran.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, bëri të ditur se regjimi iranian ka kohë deri në orën 20:00 sipas kohës lindore për të përmbushur kushtet e kërkuara.

Në anën tjetër, OKB ka dënuar retorikën që rrethon këto paralajmërime dhe ka paralajmëruar se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë krime lufte.

Ndërsa ushtria izraelite tha se ofensiva e përbashkët SHBA-Izrael po afrohet drejt një udhëkryqi strategjik dhe do të intensifikojë goditjet ndaj regjimit iranian.