"Integrimi në vendnumëro"/ Bumçi: GJK 'jashtë funksionit', Shqipëria s'përparon drejt BE-së pa institucione funksionale
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Aldo Bumçi në një lidhje direkte për Ora News, komentoi situatën e fundit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sipas tij, vendi ka hasur pengesa serioze, pas mos miratimit të raportit ndërmjetëm nga vendet anëtare të BE-së.
Bumçi u ndal tek kritikat ndaj qeverisë për menaxhimin e çështjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku, lidhur me kontrata koncesionare dhe tendera publikë.
Ai tha se mënyra si u mbrojt figura politike ka dërguar sinjale negative tek Brukseli dhe ka bërë që Shqipëria të ngecë në “provimin” e shportës së parë të kushteve, ku përfshihet demokracia, shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut dhe lufta kundër korrupsionit.
“Çështja e Ballukut nuk është vetëm për të, është për të gjithë sistemin. Duke mbrojtur atë, Rama po mbron veten dhe po dëmton imazhin e vendit tek partnerët europianë.”-u shpreh ai.
Bumçi gjithashtu paralajmëroi për situatën e Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij, është “jashtë funksionit” dhe minon shtetin e së drejtës.
“Shqipëria nuk mund të përparojë drejt BE-së pa institucione funksionale. Çdo vonesë dhe imunitet i papritur i politikanëve, e bën vendin më të pasigurt dhe partnerët europianë më të rezervuar.”-tha Bumçi.
Ai kërkoi veprime të menjëhershme për të rregulluar situatën dhe për të siguruar respektimin e standardeve europiane, duke nënvizuar se përparimi i vendit varet nga serioziteti në zbatimin e ligjit dhe mbrojtja e institucioneve.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:
