FONDET NË BUJQËSI,TË PAMJAFTUESHME/ Vuksani: Mënyra e shpërndarjes lë jashtë shumicën e fermerëve

Fondi prej 52 milionë eurosh për mbështetjen e bujqësisë konsiderohet i ulët nga eksperti i bujqësisë, Gjok Vuksani, sidomos në krahasim me vendet e rajonit.

Sipas tij, një tjetër pikë e debatueshme është skema e re e subvencionimit prej 100 mijë lekësh për hektar, e cila aplikohet vetëm për fermat mbi 3 hektarë e që përbëjnë rreth 6% të fermave në Shqipëri.

Situata rëndohet edhe më tej nga rritja e çmimit të naftës dhe inputeve bujqësore, si farat, plehrat dhe pesticidet.

Eksperti paralajmëron se, nëse nuk ndërhyhet, shumë toka mund të mbeten djerrë, ndërsa pasojat do të ndihen drejtpërdrejt edhe në çmimet e produkteve ushqimore.

Rritja e kostove dhe mungesa e mbështetjes së mjaftueshme për bujqësinë pritet të reflektohen jo vetëm tek fermerët, por edhe tek konsumatorët, përmes çmimeve më të larta në treg.