"Shqipëria 'pushton' hartën turistike të Europës"/ Krasniqi: Turistët e njohin vendin dhe e zgjedhin vetë si destinacion
Në një lidhje direkte për Ora News, eksperti i turizmit Isa Krasniqi foli për zhvillimin e vazhdueshëm të turizmit në Shqipëri dhe pritshmëritë për sezonin e këtij viti.
Sipas tij, Shqipëria po konsolidohet si një fuqi në rritje në hartën turistike të Evropës. Larg imazhit të një destinacioni të zbuluar rastësisht, vendi po kthehet në një zgjedhje të mirëmenduar për vizitorët ndërkombëtarë, çka, tha ai, dëshmohet nga një rritje e pandalshme e numrit të tyre vit pas viti.
Shifrat flasin qartë për këtë trend pozitiv. Pas arritjes së rreth 10 milionë vizitorëve në vitin 2023, parashikimet tregojnë një rritje të vazhdueshme, duke kaluar në mbi 11 milionë në 2024 dhe duke projektuar mbi 12 milionë vizitorë për vitin 2025.
Krasniqi tha se kjo rritje e qëndrueshme tregon një interes solid dhe afatgjatë për ofertën turistike shqiptare.
“Po themi që po rritemi, por jemi kthyer në një destinacion që tashmë është futur realisht në hartën turistike të Evropës.
Shqipëria, ose më saktë shifrat e viteve të fundit e tregojnë qartë këtë. rreth 10 milionë vizitorë në 2023-shin, pastaj kemi kaluar mbi 11 milionë në 2024-ën, pastaj mbi 12 milionë, pra në 2025-ën.
Unë mendoj që është ose trendi vazhdon të rritet çdo vit. Ajo që është interesante është që nuk po flasim vetëm për po themi turizmin sezonal, por po shohim rritje në Tiranë, turizëm malor dhe shumë interes për Shqipërinë gjatë gjithë vitit.
Pra Shqipëria nuk është më një destinacion i zbuluar, po themi rastësisht, por një zgjidhje e mençur nga turistët kohët e fundit.
Kështu që, sa i përket po themi sezonit ose si do jetë ky sezon, unë mendoj që sezoni turistik këtë vit pritet pozitiv dhe në rritje. Kjo për disa arsye kryesore.
Së pari, Shqipëria tashmë është bërë e njohur si destinacion, pra nuk është se nuk na njohin si emër. Nuk jemi më në fazën që turistët vijnë rastësisht, por vijnë sepse e kanë zgjedhur.
Dhe së dyti, kërkesa nga tregje të rëndësishme si Evropa dhe vendet e Gjirit vazhdon të rritet, pra dita-ditës vazhdon të rritet. Kemi interes të lartë për verën, sidomos për korrikun dhe gushtin”, u shpreh Krasniqi.
NDIQNI INTERVISTË E PLOTË NË ORA NEWS:

