11 vite me kultivimin e luleshtrydheve, historia e Nestit nga fshati Adë në Fier
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndau sot një shembullin e një fermeri nga Fieri, i cili merret me mbjelljen dhe rritjen e luleshtrydheve.
Nesti nga fshati Adë ka nisur aktivitetin e tij në bujqësi 11 vite më parë me vetëm 3 dynymë të mbjella me luleshtrydhe. Falë punës së vazhdueshme dhe investimeve në teknologji, ai sot administron rreth 3 hektarë sera, duke rritur ndjeshëm kapacitetet prodhuese.
Një zhvillim i rëndësishëm në aktivitetin e tij është aplikimi prej dy vitesh i mbrojtjes biologjike, metodë që ka ndikuar në rritjen e cilësisë dhe rendimentit të prodhimit. Kjo qasje moderne ka mundësuar që produkti “Made in Albania” të jetë më konkurrues në treg.
Aktualisht, luleshtrydhet e prodhuara nga ky fermer tregtohen si në tregun vendas, ashtu edhe eksportohen drejt Italisë dhe vendeve të Ballkanit, thekson ministri Salla.
