'DYFISHO NDËRMARRJEN TËNDE'/ Kryeministri në 'Flasim': Ndihmë për bizneset, në fillim të majit vihet programi në dispozicion

Kryeministri Edi Rama në podcastin “Flasim” ka njoftuar se qeveria shqiptare po përgatit një program të ri për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Programi quhet “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde” dhe do të ofrojë mundësi financimi dhe garanci për bizneset që duan të rriten dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre.

Rama shpjegoi se programi është rezultat i bashkëpunimit mes qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë. Ai do të ndihmojë bizneset që kanë ide, ambicie dhe bazë të fortë, por nuk kanë kapital të mjaftueshëm ose akses në financë.

Takimet e fundit kanë përgatitur detajet e programit, dhe Rama njoftoi se brenda një muaji, në fillim të majit, do të bëhet shpallja zyrtare dhe firmosja e marrëveshjeve për të vënë programin në dispozicion të të gjithë bizneseve të interesuara.

Ky hap synon të ndihmojë sipërmarrësit të rrisin aktivitetin e tyre dhe të “dyfishojnë ndërmarrjen” duke i dhënë një shtysë reale zhvillimit të ekonomisë shqiptare.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT:

Kjo javë ka qenë java e punës edhe për një program që qeveria shqiptare do të bëjë së shpejti të disponueshëm për të gjithë të interesuarit: programi “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde”. Një program i bazuar te bashkëpunimi mes qeverisë së Shqipërisë, Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë, për të hapur një linjë të re kredie dhe për të vendosur instrumente të rinj garancish për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që e kanë krijuar një bazë, që kanë një vizion rritjeje, që kanë ambicien dhe vullnetin për t’u rritur, por që kanë pikërisht pamundësinë për ta mbështetur vizionin dhe ambicien e tyre me kapital të mjaftueshëm dhe akses në financë.
Pikërisht këtë po bën qeveria me Bankën e Shqipërisë dhe me bankat e nivelit të dytë. Kemi pasur një takim shumë të dobishëm pak ditë më parë, gjatë javës që lamë pas, dhe kemi dakordësuar që brenda një muaji, pra në fillim të muajit maj, do të bëjmë edhe shpalljen e programit, me firmosjen ceremoniale të të gjitha marrëveshjeve të nevojshme, për t’i vënë në dispozicion të gjithë atyre që duan të rriten një garanci dhe një financë që të çojë në dyfishimin e ndërmarrjes së tyre.