Administrimi tatimor sjellë rritje buxhetore/ Rama në 'Flasim': Të ardhurat parashikohen të shtohen prej 1 mld €
Në podcastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama ka folur për rritjen historike të të ardhurave buxhetore, një tregues i fuqizimit të ekonomisë shqiptare.
Ai shpjegoi se kjo rritje nuk ka ardhur nga taksa të reja, por për shkak të zgjerimit të ekonomisë dhe përmirësimit të administrimit tatimor dhe doganor.
Sipas Ramës, përmirësimi i kontrollit mbi transaksionet dhe ulja e korrupsionit dhe abuzimeve kanë kontribuar drejtpërdrejt në këtë rezultat.
Ai parashikon që gjatë periudhës së ardhshme do të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë, duke dhënë mundësinë që këto fonde të përdoren për zhvillimin e vendit.
Kryeministri e përshkroi këtë rritje si një dëshmi që vota e qytetarëve vlerësohet çdo ditë dhe që administrimi më i mirë sjell përfitime reale për të gjithë shqiptarët.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT RAMA:
Kjo javë është karakterizuar edhe nga një tjetër bilanc inkurajues: rritja e të ardhurave buxhetore në një nivel absolutisht historik. Një tregues i rëndësishëm i fazës ku ndodhet sot ekonomia shqiptare, një pasqyrë kuptimplotë e fuqizimit të saj. Në të kundërt të gjithë atyre që predikojnë rritjen e korrupsionit dhe rritjen e abuzimit, ekonomia provon se rritet pikërisht sepse ulet korrupsioni dhe ulen abuzimet, sepse këto të dyja bashkë nuk shkojnë përndryshe. Të ardhurat që kanë arritur në nivele të reja janë pikërisht rezultat i një administrimi shumë më efikas, me shumë më pak korrupsion dhe abuzim, një karakteristikë e sëmundjes së rëndë të trashëguar nga e shkuara, të cilën e kemi luftuar dhe do të vazhdojmë ta luftojmë ditë për ditë. Sipas projeksioneve, në periudhën që kalojmë pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë, dhe jo nga rritja e taksave, sepse nuk kemi bërë rritje të taksave, por nga rritja e ekonomisë dhe, patjetër, edhe nga rritja e cilësisë së administrimit tatimor dhe doganor, rritja e cilësisë së kontrollit për sa i përket transaksioneve në nivelin e biznesit, mes biznesit dhe konsumatorit dhe biznesit me biznesin, si dhe rritja e ndërgjegjësimit fiskal. Jemi në kushtet kur mund të ndajmë me ata që na kanë mbështetur dhe na kanë zgjedhur këtë moment të rëndësishëm, duke u thënë se vota e tyre vlen dhe vlerësohet çdo ditë, në çdo hap, në çdo sektor, dhe ky i rritjes së të ardhurave është një shembull shumë kuptimplotë.

