Gjeta: Paralajmërimi i SHBA për Iranin duhet marrë seriozisht, Shqipëria në pozicion delikat

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News, politologu Altin Gjeta komentoi paralajmërimin e fundit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rreziqe të mundshme që lidhen me Iranin, duke theksuar se Shqipëria duhet ta marrë këtë njoftim me seriozitet maksimal.

Sipas Gjetës, edhe pse Ministri i Brendshëm e ka cilësuar paralajmërimin si një njoftim rutinë dhe standard, fakti që vjen nga Shtetet e Bashkuara e bën atë veçanërisht të rëndësishëm.

Ai theksoi se SHBA zotëron një nga agjencitë më të fuqishme të inteligjencës në botë dhe është e përfshirë drejtpërdrejt në tensionet me Iranin, çka i jep peshë çdo paralajmërimi të tillë.

Politologu renditi edhe dy arsye kryesore pse Shqipëria duhet të jetë vigjilente.

"Së pari, Shqipëria është ndër vendet e pakta në Evropë që ka miratuar një rezolutë parlamentare ku Irani përcaktohet si shtet sponsor i terrorizmit. Së dyti, vendi ka strehuar prej vitesh opozitën iraniane në ekzil, muxhahedinët e MEK, gjë që ka sjellë tensione të vazhdueshme me Teheranin, deri në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike."

Gjeta theksoi se në këtë situatë shteti shqiptar duhet të aktivizojë të gjithë mekanizmat e sigurisë kombëtare dhe të intensifikojë bashkëpunimin me agjencitë partnere të inteligjencës.

Ai nënvizoi se komunikimi dhe bashkërendimi me vendet anëtare të NATO-s është thelbësor për të garantuar mbrojtjen e vendit, edhe në rast të një kërcënimi hipotetik.

Sipas tij, ekzistenca e një mundësie teorike për sulm mjafton që institucionet shqiptare të marrin të gjitha masat parandaluese për të ruajtur sigurinë kombëtare.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: