Ndërtesa e braktisur plot me dr*gë në Itali/ 21-vjeçari shqiptar pikaset nga policia dhe përfundon në pranga

Një 21-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali nga karabinierët e Rietit, i dyshuar për trafik kokaine.
I riu ishte vënë nën vëzhgim prej disa ditësh për shkak të lëvizjeve të dyshimta pranë një ndërtese të braktisur.
Policia ndërhyri në momentin që ai po largohej nga ambienti dhe gjatë kontrollit personal i gjeti gjashtë pako me kokainë, rreth 100 gramë secila, të fshehura në trup.
Kontrollet vijuan edhe në ndërtesën ku ai hynte shpesh.
Aty u zbuluan edhe katër pako të tjera me rreth një kilogram kokainë, të fshehura brenda një divani.
Në vend u gjetën edhe dy peshore preçize dhe materiale për ndarjen dhe paketimin e dozave.
Gjithashtu u sekuestruan 970 euro cash, që dyshohet se vijnë nga shitja e drogës. Nga sasia e kapur, autoritetet llogarisin se mund të përgatiteshin mbi 2,500 doza, me një vlerë rreth 120 mijë euro në treg.
Pas arrestimit, 21-vjeçari u dërgua në burgun e Rietit dhe ndodhet në dispozicion të drejtësisë italiane.

