Grabitje me forcë në Vlorë dhe Sarandë, 3 të arrestuar në pak orë

Policia e Vlorës ka arrestuar tre persona të cilët dyshohet se grabisnin me dhunë në qytetin e Vlorës dhe të Sarandës.

Policia bëri me dije se në aksionin e parë ka zbardhur një grabitje me forcë të një qytetareje më 30 mars në lagjen “1 Maji”, të cilës i morën një shumë parash.

“Në lidhje me një rast vjedhjeje me dhunë, të ndodhur më datë 30.03.2026, rreth orëve të mbrëmjes, në lagjen “1 Maji”, në qytetin e Vlorës, u arrestuan dy autorët e dyshuar, të cilët i kanë vjedhur me dhunë portofolin me një shumë parash shtetases J. K., 39 vjeçe, banuese në Vlorë. Shtetasit e arrestuar janë: B. T., 18 vjeç; si dhe një 16-vjeçar; të dy banues në Vlorë”, thanë burime zyrtare.

Si provë u sekuestruan edhe një shumë parash nga ato të grabitura.

Për rastin e dytë, sqarohet se arrestimi u bë në Sarandë.

“Rreth orëve të pasdites së 30 marsit, në qytetin e Sarandës, një shtetas ka vjedhur nga automjeti i shtetasit L. T. një çantë dore me sende personale. U arrestua për këtë rast i dyshuari N.Ç., banues në Sarandë”, njoftoi policia.

Për të dyja ngjarjet po vijon hetimet e mëtejshme prokuroria vendore.