SHTETËSIA NË LINDJE NË PIKËPYETJE/ Gjykata Supreme skeptike ndaj planit të Trump për shtetësinë
Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara shfaq skepticizëm ndaj përpjekjes së presidentit Donald Trump për të kufizuar shtetësinë automatike me lindje, duke sinjalizuar një goditje të mundshme ndaj një prej politikave më të debatueshme të imigracionit.
Gjykata më e lartë në SHBA, duket se po anon kundër një prej nismave më të forta të presidentit Donald Trump për imigracionin: kufizimin e shtetësisë në lindje.
Gjatë më shumë se dy orë debatesh intensive, shumica e gjyqtarëve shprehën dyshime serioze mbi ligjshmërinë e urdhrit ekzekutiv që synon të mohojë shtetësinë për fëmijët e emigrantëve pa dokumente dhe vizitorëve të përkohshëm.
Në qendër të debatit ishte interpretimi i Amendamentit të 14-të i Kushtetutës së SHBA-së, i cili garanton shtetësinë për të gjithë të lindurit në territorin amerikan. Administrata Trump argumenton se kjo dispozitë është interpretuar shumë gjerësisht ndër dekada.
Por gjyqtarë kyç, përfshirë kryetarin John Roberts, vunë në dyshim nëse presidenti ka autoritetin për të bërë një ndryshim kaq të madh përmes një urdhri ekzekutiv.
Ndërkohë, gjyqtarja Elena Kagan theksoi se shtetësia në lindje është një parim i rrënjosur thellë në traditën ligjore amerikane dhe daton që nga e drejta zakonore angleze.
Ekspertët ligjorë sugjerojnë se gjykata mund të zgjedhë një rrugë më të ngushtë, duke rrëzuar urdhrin mbi baza ligjore pa hyrë në një përplasje të drejtpërdrejtë kushtetuese.
Vendimi pritet në qershor dhe mund të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për politikën e imigracionit, por edhe për kufijtë e pushtetit presidencial në SHBA.
Për presidentin Trump, kjo çështje përfaqëson një provë kyçe për premtimet e tij elektorale ndërsa për kundërshtarët, një betejë për të ruajtur një nga shtyllat themelore të ligjit amerikan.
