NAFTA NË RRITJE, TRUMP K*RCËNON/ Tensionet SHBA-Iran shtyjnë tregjet dhe rrisin çmimet globale
Çmimet globale të naftës rriten ndjeshëm pasi presidenti amerikan Donald Trump kërcënon Iranin me sulme të ashpra dhe paralajmëron përshkallëzim të konfliktit, pa anashkaluar në deklaratën e tij se Shtetet e Bashkuara janë “afër përfundimit të të gjitha objektivave ushtarake në Iran” dhe se misioni mund të përfundojë brenda dy deri tre javësh.
Tregjet globale të energjisë janë tronditur, pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do ta godasin Iranin “jashtëzakonisht fort” në javët e ardhshme.
Në një fjalim kombëtar nga Shtëpia e Bardhë, Trump deklaroi se objektivat kryesore ushtarake në Iran janë afër përfundimit, brenda dy deri tre javësh, por njëkohësisht kërcënoi me sulme të mëtejshme, duke rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme.
Në një mesazh drejtuar kombit mbi konfliktin në Lindjen e Mesme, Trump gjithashtu kritikoi aleatët e SHBA-së lidhur me Ngushticën e Hormuzit: “Ne nuk importojmë naftë përmes Hormuzit; nuk kemi nevojë për të. Vendet që e marrin prej andej, e marrin vetë. Sapo të mbarojë lufta, Ngushtica do të rihapet natyrshëm.
Sipas Presidentit, SHBA-të janë “plotësisht të pavarura nga Lindja e Mesme”, duke shtuar se prania amerikane në rajon ka për qëllim vetëm mbështetjen e aleatëve dhe jo nevojën për burimet e tyre: “Ne jemi atje për të ndihmuar aleatët tanë, nuk kemi nevojë për asgjë që kanë ata.”
Presidenti theksoi se ndryshimi i regjimit nuk ishte objektiv i SHBA-së, megjithatë “eliminimi i udhëheqësve historikë” rezultoi në ardhjen e një lidershipi më të arsyeshëm. Trump paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, SHBA-të do të godasin objektet energjetike të Iranit.
Menjëherë pas fjalimit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare u rritën me rreth 5%, duke kaluar mbi 105 dollarë për fuçi. Investitorët reaguan me shqetësim, ndërsa tregjet e aksioneve në Azi pësuan rënie.
Një nga arsyet kryesore të pasigurisë mbetet situata në Ngushtica e Hormuzit, një korridor jetik ku kalon rreth 20% e furnizimit global me energji. Kërcënimet për mbylljen apo destabilizimin e saj kanë ndikim të menjëhershëm në çmimet botërore.
Nga ana tjetër, Irani ka mohuar pretendimet se ka kërkuar armëpushim, duke i cilësuar deklaratat e presidentit amerikan si të pavërteta.
Analistët thonë se fjalimi nuk dha një plan të qartë për përfundimin e konfliktit, duke shtuar pasigurinë në tregje dhe në arenën ndërkombëtare.
Në një moment kur tensionet gjeopolitike janë në rritje, ndikimi i drejtpërdrejtë po ndihet jo vetëm në bursat globale, por edhe në çmimet e energjisë që prekin konsumatorët në mbarë botën.
