PËRBALLJA MALLTEZI–BALLA/ Demokrati: GJEDNJ na dha të drejtë, Kushtetuesja duhet ta kishte pranuar ankimimin
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dhënë një vendim në favor të Jamarbër Malltezit, duke konstatuar probleme në trajtimin e çështjes së tij nga institucionet shqiptare të drejtësisë.
Ajo ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk kishte pranuar ankimin e tij për përballjen me Taulant Ballën mbi padinë për shpifje në lidhje me pretendimet për pronat pranë ish-klubit Partizani.
“Gjykata e Lartë nuk guxoi të merrte vendim për 8 vjet. Jo vetëm kaq, por nuk na njoftuan vendimin deri pas më shumë se 3 muajsh, me qëllim që të pengohej ankimi në Gjykatën Kushtetuese. GJK, e kontrolluar nga Edi Rama, rrëzoi kërkesën, duke pretenduar se ishte paraqitur pas afatit 4-mujor”, tha Malltezi.
Sipas Malltezit, drejtësia në Shqipëri ka vepruar politikisht.
“Në mungesë të dosjes gjyqësore, pavarësisht kërkesave të mia me shkrim pranë gjykatës, dosja nuk na u vu në dispozicion, pra pamundësoi aksesin në gjykatë. Kjo është e papranueshme në çdo vend të botës dhe përbën shfrytëzim detyre nga prokurorët kamikaz të Edi Ramës dhe Taulant Ballës”, shtoi ai.
Procesi për shpifje ka nisur 14 vite më parë, kur Gjykata e Shkallës së Parë dënoi Ballën, ndërsa Apeli e shpalli të pafajshëm.

