HAITI/ Bilanci i viktimave rritet frikshëm, bandat nuk i ndalojnë krimet në gjithë vendin
Të paktën 16 persona janë vrarë pas një serie sulmesh të armatosura në Haitin qendror, ndërsa numri i viktimave mund të jetë edhe më i lartë.
Burime lokale flasin për rreth 20 të vdekur, ndërsa organizata të të drejtave të njeriut paralajmërojnë se bilanci mund të shkojë deri në 70.
Sulmet ndodhën në zonën rurale Jean-Denis, pranë Petite-Rivière de l’Artibonite, ku persona të armatosur i vunë flakën shtëpive dhe qëlluan mbi banorët që përpiqeshin të largoheshin.
Të mbijetuarit tregojnë se trupat e viktimave u gjetën të shpërndarë në rrugë mëngjesin pas sulmit. Një tjetër sulm u raportua edhe një ditë më vonë.
Përgjegjësia për sulmet i atribuohet bandës Gran Grif, një nga grupet më të rrezikshme në vend. Sipas aktivistëve, nga dhuna janë detyruar të largohen rreth 6 mijë banorë.
Policia ka vështirësi të hyjë në zonë për shkak të pranisë së armatosur të bandave, ndërsa verifikimi i numrit të saktë të viktimave mbetet i vështirë. Raportohet se sulmi ishte i organizuar dhe rrugët ishin bllokuar për të penguar ndërhyrjen e forcave të sigurisë.
Ngjarja lidhet edhe me një figurë të njohur si “Ti Kenken”, i cili dyshohet se ka udhëhequr sulmin. Ai më parë ishte pjesë e grupeve të vetëmbrojtjes, por më pas iu bashkua bandës.
Haiti prej vitesh po përballet me dhunë të vazhdueshme nga grupet kriminale, ndërsa forcat vendase dhe ato ndërkombëtare nuk po arrijnë ta vendosin plotësisht situatën nën kontroll.

