PUBLIKOHEN PLANET TEKNIKE TË TITANIC/ Arkivi i Harland & Wolff me projektet e anijes së vitit 1912
Planet teknike dhe vizatimet origjinale të Titanic do të bëhen publike për herë të parë. Arkivi përfshin dokumente historike mbi ndërtimin e anijes që në vitin 1912 konsiderohej e pafundoshme. Por përplasja me një ajsberg i mori jetën mbi 1500 personave
Planet teknike dhe vizatimet origjinale të anijes legjendare Titanik do të bëhen për herë të parë të aksesueshme për publikun, më shumë se një shekull pas fundosjes së saj tragjike. Dokumentet janë pjesë e një arkivi të pasur të kantierit detar Harland & Wolff në Belfast, ku u projektua dhe ndërtua anija.
Titanik, e nisur në udhëtimin e saj të parë në prill të vitit 1912, ishte në atë kohë anija më e madhe dhe më e avancuar teknologjikisht në botë. Ajo përfshinte luks të rrallë për kohën, si banja turke, pishinë, palestër dhe akomodim të përmirësuar edhe për klasën e tretë.
Megjithatë, anija u përplas me një ajsberg gjatë udhëtimit nga Southampton drejt Nju Jorkut dhe u fundos brenda pak orësh, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 1500 personave. Edhe pse kishte mjete shpëtimi sipas standardeve të kohës, ato nuk mjaftonin për të gjithë pasagjerët.
Projektet dhe vizatimet e Titanik janë pjesë e arkivit të ruajtur në Muzeun Ulster Folk, i cili përmban qindra mijëra dokumente që tregojnë mënyrën e ndërtimit të anijeve. Ky arkiv po bëhet i aksesueshëm nga National Museums Northern Ireland, si pjesë e një projekti për digjitalizimin dhe hapjen e koleksioneve për publikun e gjerë.
Përveç Titanik, arkivi përfshin edhe planet e anijeve motra, Olympic dhe Britannic. Ndërsa Olympic pati një jetë të gjatë në shërbim, Britannic u fundos gjatë Luftës së Parë Botërore.
Deri më tani, këto materiale kanë qenë të disponueshme vetëm për studiues dhe akademikë, por tashmë publiku do të ketë mundësi t’i konsultojë online ose përmes vizitave të organizuara.
Ky projekt synon të hedhë dritë mbi historinë e industrisë detare të Belfastit dhe të sjellë më pranë publikut një nga kapitujt më të njohur të historisë detare botërore.
