Ukraina godet portet ruse/ Zëdhënësi i Kremlinit: Nëse vendet e tjera e ndihmojnë me hapësirën ajrore, do merren masa
Rusia paralajmëron reagim nëse vendet e tjera ndihmojnë Ukrainën me hapësirën ajrore
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia do të reagojë në rast se vende të tjera lejojnë Ukrainën të përdorë hapësirën e tyre ajrore për sulme me dronë ndaj porteve ruse në Detin Baltik.
Sipas tij, po merren masa për të mbrojtur infrastrukturën, por është e pamundur që çdo objekt të jetë plotësisht i sigurt nga sulmet.
Gjatë javëve të fundit, Ukraina ka rritur goditjet ndaj objekteve ruse të eksportit të naftës, duke shënjestruar veçanërisht portet e Ust-Lugës dhe Primorskut.
Këto sulme janë ndër më të fortat që nga fillimi i luftës dhe lidhen me përpjekjet për të dobësuar kapacitetet ekonomike dhe energjetike të Rusisë.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se vendi i tij është i gatshëm të përgjigjet nëse Rusia ndalon sulmet ndaj sistemit energjetik të Ukrainës. Ai la të hapur edhe mundësinë për një armëpushim gjatë festës së Pashkëve, nëse ka një ndalim të ndërsjellë të sulmeve.

