ZELENSKY I KËNAQUR NGA SHTETET E GJIRIT/ Presidentit ukrainas tur takimesh në Lindjen e Mesme
Volodymyr Zelenskiy e cilëson të suksesshëm turin në Lindjen e Mesme. Ai njoftoi marrëveshje sigurie dhe bashkëpunimi me disa vende të rajonit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e ka cilësuar të suksesshëm turin e tij në vendet e Lindjes së Mesme, duke bërë të ditur se janë arritur dhe po diskutohen disa marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Vizita u zhvillua në një moment tensionesh të larta në rajon, për shkak të konfliktit që përfshin Iranin, SHBA-në dhe Izraelin.
Zelenskiy synoi të ofrojë ekspertizën e Ukrainës në mbrojtje, të fituar gjatë luftës me Rusinë, veçanërisht në përballjen me sulmet me dronë të prodhimit iranian. Ai theksoi se përvoja e Ukrainës në këtë drejtim mund të jetë e vlefshme për vendet e rajonit që përballen me kërcënime të ngjashme.
Sipas tij, janë arritur marrëveshje “historike” me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, ndërsa bashkëpunimi është në zhvillim edhe me Jordaninë dhe Kuvajtin. Interes për bashkëpunim kanë shprehur gjithashtu Bahreini dhe Omani.
Zelenskiy bëri të ditur se bashkëpunimi përfshin fusha si mbrojtja ajrore, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes dhe energjia. Ai nënvizoi se Ukraina po eksporton njohuritë dhe përvojën e saj në mbrojtje, duke e konsideruar këtë si një çështje konkrete dhe praktike për sigurinë e vendit.
Gjatë vizitës, presidenti ukrainas diskutoi edhe për furnizimet me naftë, që është thelbësore për nevojat e mbrojtjes dhe sektorin bujqësor të Ukrainës.
Ai shtoi se në rajon ka gjetur gatishmëri dhe respekt për Ukrainën, si dhe një vizion të përbashkët për bashkëpunim në funksion të sigurisë dhe stabilitetit.
Zelenskiy theksoi gjithashtu se marrëveshjet për shitjen e armëve duhet të miratohen në nivel qeveritar, duke paralajmëruar kompanitë që të mos veprojnë në mënyrë të pavarur në këtë drejtim.
