PLANETI NË ALARM NGA IA/ Qendrat e të dhënave po rrisin temperaturat dhe rrezikojnë mjedisin
Një studim i ri paralajmëron se qendrat e mëdha të të dhënave, që fuqizojnë inteligjencën artificiale, po krijojnë “ishuj nxehtësie” të rrezikshëm. Temperaturat në zonat përreth tyre mund të rriten ndjeshëm, duke prekur qindra miliona njerëz. Ekspertët kërkojnë më shumë studime dhe masa për të kufizuar ndikimin mjedisor.
Qendrat e mëdha të të dhënave që fuqizojnë inteligjencën artificiale të cilat konsumojnë sasi të mëdha energjie, por sipas një studimi të ri, ato kanë edhe një ndikim tjetër alarmues për mjedisin. Struktura gjigante po krijojnë " ishuj nxehtësie ", duke ngrohur tokën përreth tyre deri në 16 gradë Fahrenheit dhe duke e bërë jetën më të nxehtë për më shumë se 340 milionë njerëz.
Hulumtimi, i bazuar në të dhëna 20-vjeçare nga sensorë satelitorë, në mbi 6 mijë qendra të dhënash në mbarë botën, tregon se temperaturat e sipërfaqes rriten mesatarisht me 3.6 gradë Fahrenheit pas nisjes së operacioneve. Në raste ekstreme, kjo rritje arrin deri në 16 gradë.
Efektet nuk mbeten vetëm në zonën përreth. Studiuesit zbuluan se ndikimi i nxehtësisë mund të shtrihet deri në 10 kilometra larg, duke prekur mbi 340 milionë njerëz në nivel global.
Raste konkrete janë vërejtur në rajone si Bajio në Meksikë dhe Aragon në Spanjë, ku rritjet e temperaturës nuk shpjegohen nga faktorë të tjerë si urbanizimi apo industria.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ky fenomen vjen në një kohë kur ndryshimet klimatike tashmë po intensifikojnë valët e të nxehtit në gjithë botën. Zgjerimi i shpejtë i qendrave të të dhënave, i nxitur nga kërkesa në rritje për inteligjencën artificiale, mund ta përkeqësojë më tej situatën.
Megjithatë, disa ekspertë theksojnë se nevojiten më shumë studime për të konfirmuar përmasat reale të këtij ndikimi. Ata nënvizojnë se, përveç nxehtësisë, një shqetësim madhor mbetet edhe energjia që këto qendra konsumojnë dhe emetimet që prodhojnë.
Në këtë realitet të ri digjital, sfida mbetet e qartë: si të balancohet zhvillimi teknologjik me mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenien e njerëzve.
