KINA NDALON “APARTAMENTET ME HI”/ Ligj kundër ruajtjes së hirit në banesa
Kina do të ndalojë ruajtjen e hirit të të ndjerëve në apartamente. Masa synon të frenojë një praktikë të përhapur për shkak të kostove të larta të varrimeve.
Qeveria kineze pritet të ndalojë praktikën e ruajtjes së hirit të të ndjerëve në apartamente të boshatisura, një fenomen që është përhapur vitet e fundit për shkak të kostove të larta të varrezave dhe mungesës së hapësirave. Ligji i ri synon t’i japë fund të ashtuquajturave “apartamente me hi kockash”, të cilat përdoren si vende rituale për përkujtimin e familjarëve të ndjerë.
Sipas rregullave të reja, ndalohet përdorimi i pronave rezidenciale për vendosjen e hirit, si dhe çdo formë varrimi jashtë zonave të miratuara si varreza apo hapësira për varrime ekologjike. Këto apartamente shpesh shndërrohen në ambiente përkujtimore, ku familjarët vendosin urnat dhe krijojnë një lloj altari familjar.
Fenomeni është nxitur nga rënia e çmimeve të pasurive të paluajtshme, të cilat në disa raste janë më të ulëta sesa kostot e varrimit. Ndërkohë, vendet në varreza janë të kufizuara dhe zakonisht jepen me qira për një periudhë 20-vjeçare, që duhet të rinovohet.
Në Pekin, çmimet për një vend varrimi variojnë nga rreth 10 mijë deri në 200 mijë juanë, ndërsa një varr standard mund të arrijë deri në 300 mijë juanë. Këto kosto kanë bërë që shumë familje të kërkojnë alternativa më të lira.
Vendimi ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e zbatimit të ligjit dhe arsyet që i shtyjnë qytetarët drejt kësaj praktike.
Masat e reja vijnë pak ditë para festivalit Qingming, kur qytetarët vizitojnë varret e të afërmve. Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu reforma në sektorin e shërbimeve funerale, për të ulur kostot dhe për të rritur transparencën në çmimet.
