Miliona amerikanë kërkojnë shtetësi kanadeze/ Ligji i ri zgjeron kriteret, pasiguria politike shtyn aplikimet masive
Ndryshimet në ligjin kanadez kanë hapur rrugën për miliona amerikanë që të aplikojnë për shtetësi atje. Interesi i lartë lidhet kryesisht me pasigurinë politike dhe dëshirën për një alternativë të sigurt.
Miliona qytetarë amerikanë kanë tashmë mundësi të aplikojnë për shtetësi në Kanada, pas ndryshimeve të fundit ligjore që kanë zgjeruar kriteret e përfitimit.
Interesi për këtë mundësi është rritur ndjeshëm, veçanërisht në një klimë politike të tensionuar në Shtetet e Bashkuara.
Konsulentët e emigracionit raportojnë se mijëra amerikanë po kërkojnë dokumente që vërtetojnë lidhjet e tyre familjare me Kanadanë.
Arsyet janë të ndryshme.
Për disa, bëhet fjalë për një “plan rezervë” në rast përkeqësimi të situatës politike apo ekonomike në SHBA.
Të tjerë e shohin si një mundësi për të studiuar, punuar apo për t’u bashkuar me familjarët.
Ndërkohë, disa aplikantë shprehin shqetësime për sigurinë dhe stabilitetin, sidomos pas rikthimit në pushtet të Donald Trump dhe tensioneve të vazhdueshme politike.
Autoritetet kanadeze theksojnë se ndryshimet synojnë të korrigjojnë padrejtësitë e mëparshme ligjore dhe të rikthejnë të drejtën e shtetësisë për të ashtuquajturit kanadezë të humbur, të cilët e kishin humbur ose nuk e kishin fituar kurrë atë për shkak të rregullave të vjetra.
Megjithatë, jo të gjithë në Kanada janë dakord me këtë zgjerim, pasi disa e shohin si një avantazh për të huajt në krahasim me emigrantët që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vend.
